Ndryshimet në Ligjin që rregullon punën e administratës shtetërore në Maqedoni, pritet të futen në procedurë parlamentare pasi kanë marrë vizë nga Qeveria javën që po e lëmë pas (të martën).
Ndryshimet në Ligjin për nëpunësit e administratës shtetërore kryesisht kanë të bëjnë me kushtet rreth punësimit, avancimin si dhe vlerësimin e të punësuarve në administratën shtetërore.
Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se reformave në administratë duhet t’u paraprijë një analizë e thellë e gjendjes faktike në administratën shtetërore.
“Duhet të bëhet një analizë e thellë në tërë sistemin e administratës shtetërore, pastaj një analizë e shërbimeve që marrin qytetarët nga administrata shtetërore, dhe pasi të jetë bërë kjo analizë nga ekspertë kompetentë, atëherë duhet të hartohet një plan i detajuar rreth reformave të thella në këtë sektor shumë të rëndësishëm".
"Nuk guxojmë të lejojmë reforma që do t’u shkonin përshtat politikave të kësaj ose asaj shumice parlamentare, sepse në fund qytetarët do të marrin shërbime jocilësore nga administrata”, thotë Temellko Ristevski, profesor në Fakultetin e Administratës Publike në Shkup.
Nga dikasteri përkatës, ai i Shoqërisë Informative, sqarojnë se në bazë të ndryshimeve ligjore për nëpunësit administrativë, parashihet të hiqet parashtrimi certifikatave ndërkombëtare për njohjen e një prej tre gjuhëve të huaja si dhe testi psikologjik, sepse siç kanë theksuar, përmes këtyre mekanizmave nuk arrihet deri te punësimi i kuadrove më cilësorë.
Në pjesën e avancimit, ndryshimet e propozuara do të japin mundësinë që të punësuarit të ngjisin disa shkallë menjëherë, në vend të rregullativës që mundëson ngjitjen shkallë pas shkalle.
Në bazë të ligjit në fjalë, administratorët nuk do të gjobiten ngase parashikohet të hiqen gjobat, por i punësuari do të largohet nga puna nëse merr dy vlerësime negative njëri pas tjetrit.
Megjithëse, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, në vazhdimësi ka theksuar se pavarësisht që administrata e Maqedonisë është e stërngarkuar, asnjë administratorët nuk do të largohet nga puna nëse me nder dhe profesionalizëm e kryen punën, për të cilën është përgjegjës.
Por, njohësit e çështjeve ekonomike vlerësojnë se sektori privat paguan kosto të lartë, sepse shteti mbetet punëdhënësi kryesor përmes punësimeve në institucionet shtetërore.
Fatmir Bytyçi, drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-perëndimore për Radion Evropa e Lirë thotë se përderisa me propozim-buxhetin për vitin 2018, nuk parashihen shkurtime në administratë. Kjo do të thotë se një pjesë e madhe e mjeteve do të shkojnë në konto të administratës, e cila nuk është në shërbim të qytetarëve në masën e duhur.
“Ditëve të fundit edhe kjo përbërje qeveritare ndryshoi mendimin dhe nuk flet për numër të madh të administratorëve por flet vetëm për cilësinë e dobët të shërbimeve në administratë që në fakt krijon hapësirë për punësime të reja nën pretekstin e njerëzve cilësorë. Kemi një numër të stërmadh të administratorëve të punësuar në administratën e shtetit, dhe kjo është në dëm të ekonomisë në vend, sepse rrogat e këtyre administratorëve bien në kurriz të taksapaguesve dhe ekonomisë së vendit”, thotë Bytyçi.
Ndryshe, Avokati i Popullit në Maqedoni, Ixhet Memeti, thotë se administrata shtetërore është joefikase për shkak se në të janë futur persona joadekuatë vetëm e vetëm për t’u gjetur vende pune përkrahësve të partive në pushtet.
“Republikës së Maqedonisë i duhet një analizë e thellë, funksionale, e cila është filluar që nga pavarësimi i Republikës së Maqedonisë dhe kurrsesi të kryhet. Gjithnjë kur partitë politike vijnë në pushtet, më së lehti atë e keqpërdorin për shkak se duan t’u gjejnë vend në administratën publike të dëgjueshmëve të partive. Kjo ka qenë dhe ende është plagë kancerogjene edhe për partizimin, por edhe për mosefikasitetin e punës së administratës publike dhe tërë këtë e paguajnë qytetarët - për shkak se nuk përfitojnë shërbime me kualitet, por marrin shërbime selektive, mundohen nëpër labirinte të ndryshme të administratës etj”, thotë për Radion Evropa e Lirë Memeti.
Ndryshe, në raportin e Komisionit Evropian në vazhdimësi theksohet se urgjentisht duhet realizuar reforma të thella në administratën shtetërore të Maqedonisë për ta çliruar atë nga influenca politike, si dhe sistemimin e një stafi me një numër shumë më të vogël, por profesional që me kohë do t’u përgjigjet kërkesave të qytetarëve.