Abramovich dhe negociatorët ukrainas dyshohet se janë helmuar

Miliarderi i sanksionuar rus, Roman Abramovich.

Miliarderi i sanksionuar rus, Roman Abramovich dhe negociatorët ukrainas për paqe, janë përballur me pasoja të helmimit të dyshuar më herët gjatë këtij muaji, pas një takimi në Kiev, ka raportuar gazeta amerikane, Wall Street Journal më 28 mars.

Gazeta ka cituar burimet e saj, të afërta me këtë çështje, por pa përmendur emra.

Sipas saj, Abramovich, i cili ka pranuar kërkesën ukrainase për të ndihmuar në negociim të dhënies fund të pushtimit rus në Ukrainë, dhe të paktën dy pjesëtarë të lartë të ekipit ukrainas, janë prekur në helmimin e dyshuar.

Në mesin e simptomave kanë qenë: skuqja e syve dhe qërimi i lëkurës në fytyrë dhe duar, ka raportuar Wall Street Journal.

Një zëdhënës i Abramovichit ka konfirmuar se oligarku rus dyshohet se është helmuar.

Abramovich, pronar i klubit anglez, Chelsea, dhe negociatorët ukrainas, përfshirë ligjvënësin tatar të Krimesë, Rustem Umerov, tani janë në gjendje stabile dhe jo në rrezik për jetën, ka thënë gazeta.

Një person i afërt me këtë çështje ka konfirmuar incidentin për agjencinë e lajmeve Reuters, mirëpo ka thënë se kjo gjë nuk e ka ndalur punën e Abramovichit.

SHIKONI EDHE: Abramovich pezullohet nga pozita e udhëheqësit të klubit Chelsea

Edhe grupi për hulumtime Bellingcat e ka konfirmuar incidentin.

“Bellingcat mund të konfirmojë se tre anëtarë të delegacionit në bisedimet për paqe, në mes të Ukrainës dhe Rusisë, të datës 3 dhe 4 mars 2022, janë përballur me simptoma si të helmimit me armë kimike. Në mesin e viktimave ka qenë sipërmarrësi, Roman Abramovich”, ka thënë grupi në Twitter.

Persona të afërt me këtë çështje kanë thënë se përkrahësit e linjës së ashpër në Moskë mund të kenë kryer sulmin, pasi kanë dëshiruar që të sabotohen bisedimet për dhënie fund të luftës.

Një tjetër person i afërt me Abramovichin ka thënë se nuk është e qartë se kush e ka shënjestruar grupin, dhe ekspertë perëndimorë, të cilët kanë analizuar incidentin, kanë thënë se është e vështirë të kuptohet nëse simptomat janë shkak i ndonjë agjenti kimik apo biologjik, pa e përjashtuar edhe mundësinë e sulmit me rreze elektromagnetike.

Kremlini ka thënë se Abramovich ka luajtur rol në fillim të bisedimeve në mes të Rusisë dhe Ukrainës, mirëpo procesi tani është në duart e ekipeve negociatore.

Shtetet e Perëndimit kanë vendosur sanksione të pashembullta kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës, duke përfshirë edhe oligarkët dhe individë tjerë në listën e sanksioneve.

SHIKONI EDHE: Britania me sanksione të reja ndaj kompanive e individëve rusë

Abramovich është në mesin e sanksionuarve nga Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar.

Kush është Roman Abramovich?

Roman Arkadyevich Abramovich ka lindur në Saratov, në jugperëndim të Rusisë më 1966.

Nëna e tij, Irina, ka vdekur nga helmimi i gjakut kur ai ka qenë një vjeç dhe babai i tij ka vdekur dy vjet më vonë, pas një aksidenti me një kran ndërtimi.

Abramovich është rritur nga familjarët, duke kaluar kohë në Komi, në veriperëndim të Rusisë, ku ka pasur pak para dhe temperaturat kanë qenë të ulëta.

“Nëse them të vërtetën, nuk mund ta quaj fëmijërinë time si të keqe”, ka thënë ai më parë për të përditshmen britanike, Guardian.

“Në fëmijëri nuk mund të krahasoni gjërat: njëri ha karota, tjetri bonbone, të dyja shijojnë mirë. Si fëmijë, nuk mund të bëni dallimet”.

Roman Abramovich.

Ai e ka lënë shkollën kur ka qenë 16 vjeç, ka punuar si mekanik dhe ka shërbyer për Ushtrinë e Kuqe, para se të shiste lojëra të plastikës në Moskë.

Më vonë ka shitur parfume dhe ka ndërtuar pasurinë e tij në periudhën e hapjes së madhe, kur ish-lideri sovjetik, Mikhail Gorbachev ka krijuar më shumë hapësirë për sipërmarrësit.

Ai është bërë aleat i ish-presidentit rus Boris Yeltsin dhe lojëtar në skenën politike post-sovjetike të Moskës.

Ai madje ka pasur një apartament në Kremlin për një periudhë.

Kur Yeltsin ka dhënë dorëheqje më 1999, Abramovich është thënë se ka qenë në mesin e atyre që kanë mbështetur, atëbotë kryeministrin dhe ish-shefin e spiunimit, Vladimir Putinin, si presidenti shteti.

Teksa Putini ka qenë duke rritur pozitën e vet, ai ka synuar të rrisë edhe dominimin ndaj oligarkëve.

Disa janë burgosur, disa kanë ikur nga shteti, por asnjëra nuk ka ndodhur me Abramovichin.

Presidenti rus, Vladimir Putin, duke e emëruar Abramovichin si guvernator të rajonit Çukotka.

Më 2000, ai është zgjedhur guvernatori i rajonit Çukotka, në verilindje të Rusisë.

Ai është bërë i famshëm pasi ka investuar paratë e tij në shërbime sociale, mirëpo ka dhënë dorëheqje më 2008.

Ndërkohë, ai është raportuar se ka rritur pasurinë e tij, duke blerë, piktura, shtëpi dhe makina.

Më 2003, manjati rus ka blerë klubin anglez të futbollit, Chelesa.

“Jam i sigurt se njerëzit do të fokusohen te unë për tre deri në katër ditë, mirëpo kjo gjë do të kaloj”, ka thënë Abramovich kur ka blerë klubin.

“Ata do të harrojnë kush jam unë, dhe më pëlqen kjo gjë”.

SHIKONI EDHE: Oligarkët e Rusisë mund të bëjnë biznes në Turqi

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.

  • Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.