Tri partitë opozitare në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e kanë lëshuar sallën e Kuvendit në shenjë pakënaqësie me vlerën e koeficientit të përcaktuar sot nga Qeveria e Kosovës.
Qeveria e Kosovës, vendosi sot që vlera e koeficientit të pagave për vitin 2023 të jetë 105 euro.
Pagat e punëtorëve në Kosovë llogariten duke e shumëzuar koeficientin e pagës së një pozite me vlerën monetare të koeficientit. Raporti i koeficienteve është nga një deri në 18.
Kreu i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se partia e tij është e zhgënjyer me vlerën e koeficientit dhe e quajti atë “koeficient të mjerimit”, që sipas tij “e thellon varfërinë”.
“Ky koeficient i demotivon të rinjtë e të rejat që duan të jenë pjesë e administratës”, tha ai.
Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, tha se koeficienti i pagave nuk adreson as për së afërmi çështjen e inflacionit.
“Koeficienti i pagave as për së afërmi nuk adreson çështjen e inflacionit që ndodhi këto dy vjet, ku jeta e qytetarëve të varfër të Kosovës është bërë ferr”, tha ai.
SHIKONI EDHE: Kujt do t’i rritet e kujt do t’i zvogëlohet paga?Ndërsa deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, Qeverinë Kurti e ka quajtur Qeveri të mashtrimeve.
“Nuk po mendoni për qytetarët”, tha ajo, duke shtuar se është dashur të ketë diskutim publik, e jo të mbahet i fshehtë koeficienti.
“Në këtë gjendje ekonomike dhe sociale nuk ju ndihmoni qytetarëve”, ka deklaruar Kadrijaj.
Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari – Lila, ka thënë se Qeveria “ka bërë punë të jashtëzakonshme” me miratimin e Ligjit të pagave dhe caktimin e koeficientit”.
Ajo tha se me këtë Ligj ka trajtim të barabartë të punonjësve të sektorit publik, dhe se koeficienti prej 105 eurosh “është bazë, pa llogaritur shtesat”.
Pasi që deputetët e opozitës kanë lëshuar sallën, seanca është ndërprerë në mungesë të kuorumit.
SHIKONI EDHE: Vlera e koeficientit të pagave për vitin 2023 do të jetë 105 euroLigji i ri i pagave në Kosovë do të hyjë në fuqi më 5 shkurt të këtij viti.
Ligji, i miratuar në dhjetor të vitit të kaluar, nuk e ka përfshirë vlerën e koeficientit, e cila përcakton një tavan deri ku mund të paguhet një punonjës i shtetit. Ai u përcaktua sot nga Qeveria e Kosovës dhe nuk do të jetë i pandryshueshëm. Nga janari i vitit tjetër ai do të jetë 110 euro.
Numri i punonjësve që marrin paga nga buxheti i Kosovës është rreth 83 mijë.