Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka thënë se nuk do të japë dorëheqje, pas humbjes së mbështetjes në Parlament nga ana e Partisë Socialdemokrate (SDP) dhe Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) për Qeverinë e tij.
Më 20 korrik, këto parti kanë përsëritur kërkesat e tyre për dorëheqje, gjatë fjalimit të Abazoviqit në Kuvend.
Zëvendëspresidenti i DPS-së, Jevto Erakoviq, ka thënë se ata patën mbështetur një qeveri të pakicës, ashtu që Mali i Zi të drejtohet kah Bashkimi Evropian, por ka shtuar se “kjo nuk është ajo rrugë, por një greminë”, andaj i ka bërë thirrje Abazoviqit që të japë dorëheqje.
“Nuk do të jap dorëheqje derisa të vendosë parlamenti”, i është kundërpërgjigjur Abazoviq.
SHIKONI EDHE: A mund ta shpëtojë Kisha Qeverinë e Abazoviqit?Arsyeja e mosmbështetjes është vendimi i Qeverisë për të miratuar tekstin e Marrëveshjes Themelore, e cila parasheh rregullimin e marrëdhënieve në mes të Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe me bazë në Beograd, diçka që këto parti kundërshtojnë.
Ndonëse Qeveria ka miratuar këtë dokument më 8 korrik, pas diskutimeve të Abazoviqit me presidentin e shtetit, Millo Gjukanoviq, është arritur pajtueshmëri më 19 korrik që para nënshkrimit të konsultohet opinioni i ekspertëve dhe të kontrollohet baza ligjore.
Marrëveshja ka nxitur partinë opozitare Fronti Demokratik – që mbështet nënshkrimin e marrëveshjes – të kërkojë po ashtu dorëheqjen e Abazoviqit.
Qeveria malazeze e ka miratuar Marrëveshjen Themelore vetëm dhjetë ditë pas takimit të Abazoviqit me Patriarkun Porfirije në Serbi, i cili ka theksuar se “është arritur marrëveshje e plotë me Qeverinë për tekstin e Marrëveshjes Themelore”.
Abazoviq - Qeverinë e të cilit e mbështesin partnerët perëndimorë, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës - nuk ka marrë mbështetje të qartë nga Brukseli dhe Uashingtoni për miratimin e Marrëveshjes Themelore.
Më 11 korrik, Qendra për Edukim Qytetar ka prezantuar një sondazh të opinionit publik, i cili ka nxjerrë në pah se vetëm 11 për qind e qytetarëve kanë qenë të interesuar për nënshkrimin e Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe.
Qeveria e Dritan Abazoviqit është zgjedhur më 28 prill të këtij viti me votat e DPS-së, URA-s, SDP-së, Partisë Popullore Socialiste pro-serbe dhe partive të popujve pakicë.