A po dërgon Turqia mercenarë sirianë në Nagorno Karabak?

Pjesëtarë të Ushtrisë së Lirë Siriane në Azaz të Sirisë. Shtator, 2018.

Bakuja dhe Ankaraja i mohojnë raportet se Turqia ka rekrutuar militantë nga Siria për të ndihmuar Azerbajxhanin në luftën me Armeninë për rajonin e kontestuar të Nagorno Karabakut.

Raportet e para për shkuarjen e militantëve sirianë në Azerbajxhan kanë dalë në fund të shtatorit.

Ato kanë ardhur nga korrespondentë të organizatave ndërkombëtare të lajmeve, të tilla si: Reuters, BBC, Guardian dhe Independent. Korrespondentët thirren në burimet që kanë krijuar gjatë mbulimit të luftës në Siri, me vite.

Të gjithë kanë pasur intervista me veteranë të Ushtrisë së Lirë Siriane, e cila mbështetet nga Turqia. Ata thonë se janë rekrutuar nga një firmë private turke për të punuar në Azerbajxhan.

Shumica nuk kanë pranuar të identifikohen, për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, dhe kanë thënë se kanë frikë nga hakmarrja ose humbja e pagës.

Burime të shumta në Ushtrinë e Lirë Siriane u kanë thënë mediave të ndryshme perëndimore se atyre u është premtuar pagë prej 1,200 deri në 2,000 dollarë në muaj, për punën në Azerbajxhan.

Ata kanë ndarë rrëfime të ngjashme, duke treguar se u është thënë se do të shërbejnë si roje në objektet e naftës në Azerbajxhan ose në post-blloqe përgjatë Vijës së Kontaktit, që ndante forcat azerbajxhanase dhe armene përpara shpërthimit të luftimeve të fundit, më 27 shtator.

Your browser doesn’t support HTML5

“Asnjë luftë nuk mund të fitohet”: Pengesat për paqen mbi Nagorno-Karabakun

Reuters ka cituar luftëtarë nga grupet rebele që i mbështet Turqia në veri të Sirisë, të kenë thënë se janë vendosur në Azerbajxhan, në koordinim me Ankaranë. Megjithatë, agjencia e lajmeve ka thënë se nuk ka mundur t’i verifikojë këto pretendime.

“Nuk kam dashur të shkoj, por nuk kam para. Jeta është shumë e vështirë dhe e varfër”, i ka thënë Reutersit një militant, i cili ka luftuar më herët në Siri, në anën e fraksionit Ahrar al-Sham, që mbështetej nga Turqia.

Militantët sirianë janë cituar të kenë thënë se janë penduar që kanë shkuar në Azerbajxhan, sepse janë dërguar në vijën e frontit.

Pas më shumë se një javë luftime kanë nisur të dalin raporte nga Siria për dhjetëra luftëtarë të vrarë sirianë, trupat e të cilëve po riatdhesoheshin nga Azerbajxhani.

SHIKONI EDHE: Irani paralajmëron për "luftë rajonale" pas përleshjeve në Nagorno-Karabak

Pretendime të kontestueshme

Ambasadori i Armenisë në Rusi, Vardan Toganian, i ka thënë agjencisë shtetërore të lajmeve RIA Novosti të Rusisë në fund të shtatorit, se Turqia ka dërguar 4,000 militantë sirianë për të luftuar në anën e Azerbajxhanit.

Brenda ditësh, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, presidenti i Iranit, Hassan Rohani, dhe zyrtarët e inteligjencës ruse kanë lëshuar deklarata që i mbështesnin pretendimet se mercenarët sirianë po luftojnë për Azerbajxhanin.

Megjithatë, askush nuk ka ofruar prova për t’i mbështetur këto pretendime.

"Tani kemi informacione që tregojnë se luftëtarët sirianë nga grupet xhihadiste kanë kaluar përmes Gaziantepit [në Turqinë juglindore] në zonën e operacioneve në Nagorno Karabak", u ka thënë Macron gazetarëve në një samit të BE-së në Bruksel, më 1 tetor. "Është një fakt i ri shumë serioz që e ndryshon situatën”, ka thënë ai.

Rohani ka thënë se të njëjtat "grupe terroriste siriane" - që Irani i ka luftuar për vite me radhë, derisa mbështeste regjimin e presidentit sirian, Bashar al-Asad - raportohet se po kthehen në kufijtë iranianë, pranë krahut jugor të betejës për kryeqytetin e Nagorno Karabakut, Stepanakert.

SHIKONI EDHE: Armenia dhe Azerbajxhani sfidojnë armëpushimin, vazhdojnë luftimet

Sergei Naryshkin, udhëheqës i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR), ka paralajmëruar madje se konflikti mund ta kthejë rajonin në "një vend të ri për organizatat terroriste ndërkombëtare".

Më 6 tetor, Naryshkin ka thënë se konflikti po tërheq njerëz që ai i ka përshkruar si mercenarë dhe terroristë nga Lindja e Mesme.

“Po flasim për qindra e tanimë edhe mijëra radikalë, që shpresojnë të fitojnë para në luftën e re të Karabakut”, ka thënë ai.

Zyrtarët turq dhe azerbajxhanas i kanë hedhur poshtë pretendimet e tilla.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se Franca dhe Rusia - të dyja anëtare të Grupit të Minskut për negociatat për zgjidhjen e konfliktit në Nagorno Karabak - e kanë mbështetur palën armene me armë.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Udhëheqësi turk nuk e ka përmendur se Rusia ka shitur po ashtu armë në Azerbajxhan.

Hikmat Haciyev, ndihmës i presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, ka thënë se "thashethemet për vendosjen e militantëve nga Siria në Azerbajxhan, janë një tjetër provokim nga pala armene” dhe “marrëzi e plotë”.

Ministri turk i Çështjeve të Bashkimit Evropian, Omer Celik, ka thënë se raportet e tilla janë "gënjeshtra" të përhapura nga Armenia "për të mbuluar armiqësitë e saj”.

Në anën tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Turqisë ka thënë - pa sjellë ndonjë provë - se Armenia ndihmohet nga luftëtarë të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit - organizatë e ndaluar, që ka zhvilluar kryengritje në Turqi me dekada të tëra.

Shumica e azerbajxhanasve po ashtu i shohin raportet për luftëtarët sirianë në vendin e tyre si të padëshmuara.

Your browser doesn’t support HTML5

Civilët kërkojnë strehim nga predhat në konfliktin Armeni-Azerbajxhan

Aktivisti i të drejtave të njeriut, Anar Mammadli, refuzon të besojë se militantët sunitë nga Ushtria e Lirë Siriane do t’iu bashkoheshin trupave kryesisht shiite të Azerbajxhanit për të luftuar në Nagorno Karabak.

“Nuk ka asnjë fakt konkret në lidhje me mbështetjen ushtarake të Turqisë, përveç mbështetjes politike për Azerbajxhanin”, ka shkruar Mammadli në Twitter.

“Me një manipulim të tillë, në kurriz të burimeve të pakonfirmuara dhe të panjohura, ata përpiqen ta veshin konfliktin me rroba fetare”, ka thënë ai.

Gazetari i pavarur azerbajxhanas, Seymur Kazimov, i ka thënë Radios Evropa e Lirë së voni se “thashethemet për sirianë që luftojnë në anën tonë, janë të pavërteta”.

“Nuk ka asnjë provë”, ka thënë ai, duke raportuar nga zona e konfliktit.

Sipas tij, “skandali” ka nisur nga një gazetar i huaj, “i cili ka shkruar një artikull bazuar në një djalë - pa emër, pa fotografi. Asgjë! Askush nuk e ka verifikuar këtë”.

SHIKONI EDHE: Civilët nën zjarrin e luftimeve në Nagorno Karabak

Raportet në gazetat Guardian dhe Independent flasin për qytetarë sirianë që marrin trupat e të afërmve të tyre.

Sipas gazetave, luftëtarët e Ushtrisë së Lirë Siriane kanë nisur një fushatë në Siri kundër rekrutimeve për Azerbajxhanin, për t’i shkurajuar militantët e tjerë nga shkuarja atje.

Washington Post, duke shkruar më 13 tetor për riatdhesimin e trupave të 52 luftëtarëve sirianë, ka thënë se vendosja e mercenarëve sirianë në Azerbajxhan është fakt.

Kongresisti amerikan, Frank Pallone i Riu, ka shpërndarë në Twitter raportin e gazetës Wall Street Journal, më 14 tetor, që thoshte se qindra militantë sirianë, të mbështetur nga Turqia, janë bashkuar me forcat azerbajxhanase.

Pallone i ka bërë thirrje Departamentit amerikan të Shtetit dhe "partnerëve" të Uashingtonit që t’i dënojnë "këto shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar", duke thënë se "është e qartë se Azerbajxhani dhe Turqia po përdorin mercenarë të huaj në aktet e tyre të vazhdueshme të agresionit" në Nagorno Karabak.

SHIKONI EDHE: Kush po lufton në Nagorno Karabak dhe pse është i rëndësishëm ky rajon?

Liz Cookman, gazetare me qendër në Stamboll, që shkruan për gazetën amerikane Foreign Policy, ka thënë se burime brenda Ushtrisë së Lirë Siriane, me bazë në Turqi, kanë konfirmuar se së paku 1,500 luftëtarë sirianë janë vendosur në Nagorno Karabak.

"Luftëtarët e parë janë transferuar në fund të shtatorit në Turqinë jugore. Më pas kanë fluturuar nga Gaziantepi në Ankara, përpara se të transferoheshin në Azerbajxhan më 25 shtator”, ka raportuar Cookman më 5 tetor.

Cookman ka thënë se shumë sirianë, që kanë marrë kontrata katërmujore për rreth 1,500 dollarë në muaj, "tashmë janë penduar, sidomos pas vrasjes së 55 mercenarëve sirianë” në Azerbajxhan.

Precedenti i Turqisë në Libi

Konflikti në Nagorno Karabak nuk është i pari ku Turqia akuzohet për rekrutimin e militantëve që ka mbështetur në Siri.

Një panel i ekspertëve i Kombeve të Bashkuara ka thënë se Turqia, në dhjetor të vitit 2019, ka nisur të rekrutojë rreth 5,000 luftëtarë sirianë për të mbështetur Qeverinë e Libisë, të njohur ndërkombëtarisht.

Ai panel i OKB-së gjithashtu ka thënë se kontraktorët rusë të sigurisë kanë rekrutuar 1,200 sirianë të tjerë, që kanë mbështetur regjimin e Assadit, për të luftuar në anën e Qeverisë rivale të Libisë, të udhëhequr nga gjenerali Khalifa Haftar.

Raporte të shumta të mediave perëndimore kanë cituar të rekrutuar nga Turqia të kenë thënë se atyre u është premtuar punë në ruajtjen e ndërtesave libiane, por, në vend të kësaj, ata e kanë gjetur veten të angazhuar në luftime të ashpra kundër forcave të Haftarit, të mbështetura nga Rusia.

SHIKONI EDHE: Lufta për Nagorno-Karabakun kalon edhe në Twitter

Hetuesit e Kombeve të Bashkuara gjithashtu kanë ofruar hollësi për krime të kryera nga luftëtarët e Ushtrisë së Lirë Siriane, të mbështetur nga Turqia - duke përfshirë rrëmbime, përdhunime dhe zhvatje.

Instituti pro-qeveritar turk, SETA, ka thënë se 21 nga 28 fraksionet brenda grupit ombrellë të Ushtrisë së Lirë Siriane kanë marrë mbështetje nga Shtetet e Bashkuara, për të luftuar grupin ekstremist të Shtetit Islamik në Siri.

Por, disa fraksione të Ushtrisë së Lirë Siriane, të tilla si Ahrar al-Sham, kanë qenë më parë aleate me Al-Kaidën dhe janë përshkruar si organizata “terroriste” nga disa zyrtarë amerikanë.

Përgatiti: Valona Tela