Mbrëmjen e 25 marsit, përfaqësuesja e Kosovës në futboll nis rrugëtimin për jetësimin e ëndrrës për kualifikim në Kampionatin Evropian të futbollit – EURO 2020.
Ndeshja e parë në fazën e grupeve, zhvillohet në Prishtinë, një ditë pas përvjetorit të njëzetë të nisjes së fushatës ajrore të NATO-s mbi forcat policore e ushtarake serbe, që shënoi edhe momentin vendimtar të rrugëtimit drejt formimit të shtetit të Kosovës, që u kurorëzua me Deklaratën e Pavarësisë së 17 shkurtit, 2008.
Përpjekja për jetësimin e ëndrrës evropiane në futboll nis në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë, me përballjen kundër Bullgarisë, në ndeshjen kualifikuese në kuadër të Grupit A, ku garojnë edhe Anglia, Çekia dhe Mali i Zi.
Megjithatë, kjo nuk është rruga e vetme e Kosovës për EURO 2020. Kosova ka edhe një mundësi tjetër – atë të kualifikimit përmes “play off”-it të Ligës së Kombeve, ku fillimisht në gjysmëfinale do të përballet me Maqedoninë e Veriut, e në rast fitoreje, pastaj me fituesin nga ndeshja tjetër Gjeorgji – Bjellorusi.
Në konferencën e parë pas grumbullimit të lojtarëve, trajneri Bernard Challandes ka thënë se fokusi i plotë i lojtarëve duhet të jetë në ndeshjet kualifikuese dhe se për ndeshjen me Maqedoninë e Veriut duhet të mendohet vetëm pas kualifikueseve.
“Lojtarët nuk duhet të mendojnë kurrë se mund të kualifikohemi përmes ‘play off’-it të Ligës së Kombeve. Ne duhet të fokusohemi në ndeshjet kualifikuese. Të përpiqemi ta bëjmë më të mirën. Nëse është e mjaftueshme ose jo, e shohim në fund të kualifikueseve. Edhe pse e dimë se kualifikueset do të jenë të vështira, sepse nuk jemi nivel i tyre (kombëtareve tjera). Vetëm pas këtyre ndeshjeve do të mendojmë për Maqedoninë”, ka thënë Challandes.
SHIKONI EDHE: Kosova me infrastrukturë të mangët në garën e futbollit evropianZvicerani, që drejton Kosovën nga stoli, ka theksuar se e ka në kokë ëndrrën për kualifikim, por se nuk ka vënë një pikë synim për numrin e pikëve apo pozitën brenda grupit. Sipas tij, fokusi do të jetë ndeshje për ndeshje në përpjekje për të grumbulluar sa më shumë pikë, për t’u zhvilluar si skuadër dhe treguar lojëra të mira.
Ecuria pa humbje që prej emërimit të Challandes, suksesi në Ligën e Kombeve dhe forma e mirë e lojtarëve të përfaqësueses me klubet e tyre, kanë sjellë entuziazëm dhe eufori te tifozëria, që ka rritur pritshmërinë për rezultate.
Megjithëkëtë, njohësit vlerësojnë se kualifikimi në Kampionatin Evropian është mision i vështirë për shkak të nivelit të kundërshtarëve në kualifikuese.
Trajneri Arbnor Morina thotë se nuk duhet pritur “mrekulli të madhe” nga faza kualifikuese, pasi, sipas tij, përkundër dëshirës së madhe dhe faktit se Kosova ka ndërtuar një skuadër kompakte, ajo ende ka mungesë përvoje në krahasim me rivalët brenda grupit.
“Reprezentacioni i Kosovës e ka bërë një skuadër kompakte dhe vetë garat në Ligën e Kombeve kanë treguar se skuadra është rritur dhe ka një fizionomi të qartë. Tash po fillojnë kualifikimet dhe mendoj se ky është një cikël i ri i asaj çfarë nga pret. Mirëpo, duhet të jemi shumë real dhe të mos presim mrekulli të mëdha, sepse deshëm apo nuk deshëm, pa marrë parasysh që ekipi është i mirë, që ka treguar ndeshje të mira e vazhdimësi në rezultate, është skuadër e përbërë prej lojtarëve që luajnë nëpër klube të cilat nuk janë, ndoshta, edhe kremi i futbollit evropian. Kjo është e para, dhe e dyta: eksperienca ende nuk është në nivelin më të lartë që të mund të arrijmë rezultate kulminante”, vlerëson Morina.
SHIKONI EDHE: Suksesi i Kosovës në futboll, “motivon” investimet për klubet e SuperligësPër gazetarin Bujar Mehmeti, kalimi nga kundërshtarë të nivelit më të ulët, si ata të Ligës D në kuadër të Ligës së Kombeve, në kundërshtarë të nivelit të Anglisë dhe Çekisë, nuk lë shumë hapësirë për të shpresuar në kualifikim përmes kësaj rruge.
“Pas paraqitjes së jashtëzakonshme të Kosovës në Ligën e Kombeve, euforia është shumë e madhe, sidomos te tifozët e Kosovës, për të siguruar kualifikimin në Evropian përmes ndeshjeve kualifikuese, gjë që është shumë e vështirë, pasi kemi përballë kundërshtarë cilësorë, kundërshtarë të mëdhenj si Anglia që edhe në Kampionatin Botëror ishte një nga kombëtaret më të forta. Ky ekip (i Kosovës) dallon shumë prej ekipit kur ka luajtur me kombëtare më të forta si Turqia, Kroacia, Finlanda, Ukraina dhe Islanda në eliminatoret e para (për Kampionatin Botëror), dhe ka qenë pastaj një dallim i madh me rivalët e Ligës së Kombeve që kanë qenë nën nivelin e Kosovës dhe përsëri është ai dallimi i madh, prapë me kombëtare të forta. Nuk mendoj se duhet të presim të kalojmë grupin nga eliminatoret, mirëpo kjo duhet të na shërbejë si një përvojë e mirë,” vlerëson Mehmeti.
Megjithatë, Mehmeti është optimist për kualifikimin e Kosovës në evropianin e futbollit përmes “play off”-it të Ligës së Kombeve, që luhet në fillim të vitit të ardhshëm.
“Ka shumë rëndësi paraqitja dhe rezultati nga ndeshja e parë me Bullgarinë, aty ku edhe nisin eliminatoret. Luajmë kundër një rivali të njohur në Evropë, por që është duke e ndërruar gjeneratën dhe po luan me lojtarë kryesisht nga kampionati bullgar. Nëse këtu ka një paraqitje të mirë, atëherë mund të vazhdojë ai entuziazmi, ajo euforia e tifozëve dhe lojtarëve. Eliminatoret, sipas meje, duhet të shfrytëzohen për përvojë të mirë pasi kemi punë me kundërshtarë më të fortë sesa ata në Ligën e Kombeve. Përndryshe, kualifikimin unë e shoh të mundshëm vetëm përmes ‘play off’-it të Ligës së Kombeve, aty ku luajmë me Maqedoninë, të cilën mendoj se mund ta mposhtim apo edhe nëse shkojmë në finale me Gjeorgjinë apo Bjellorusinë”, shton tutje ai.
E edhe pse ndeshjet e “play off”-it të Ligës së Kombeve i sheh si mundësi më reale për kualifikim, trajneri Morina i sheh ato vetëm si bonus, pasi sipas tij Kosova duhet të bëjë maksimumin në kualifikuese.
“Duhet të fokusohemi 100 për qind në këto ndeshje (kualifikuese), në çdo ndeshje të kualifikimeve, për arsye se ajo ndeshja me Maqedoninë është ndeshje që vjen më vonë. Do të thotë, në çdo takim duhet të fokusohemi maksimalisht për të nxjerrë maksimumin që mund të nxirret. Pse të mos kërkohet rastin edhe kah kualifikueset, e pastaj loja me Maqedoninë më vonë na mbetet si bonus”, thotë Morina.
SHIKONI EDHE: Federata Spanjolle e Futbollit nuk i pranon simbolet e KosovësKëto janë kualifikueset e para të përfaqësueses së Kosovës për Kampionatin Evropian të futbollit. Më 2016, vetëm pak muaj pas pranimit në FIFA, Kosova garoi në kualifikueset për Kupën e Botës, duke përfunduar në vendin e fundit në Grupin I.
Kosova përmbylli vitin 2018 pa asnjë humbje dhe me triumf në Grupin 3 të Ligës D, në Ligën e Kombeve, duke u promovuar në Ligën C.