A është e pathyeshme Kupola e Hekurt e Izraelit?

Sistemi anti-raketor i Izraelit, Kupola e Hekurt, vëren dhe shkatërron raketa të hedhura nga Rripi i Gazës në Ashkelon, qytetin jugor izraelit, 20 tetor 2023.

AP

Kupola e Hekurt i ka parandaluar mijëra raketa të shkrepura nga Rripi i Gazës prej vitit 2011, kur Izraeli e vuri në punë këtë sistem të avancuar kundërajror.

Ky sistem i ka bërë banorët të ndihen më të sigurt dhe izraelitët mund të shihen shpesh duke i vëzhguar predhat tek fluturojnë nëpër qiell dhe duke i shkatërruar caqet mbi kokën e tyre.

Por, lufta e tanishme me Hamasin mund të jetë sfida më e vështirë deri më tani.

Brenda vetëm dy javëve, Hamasi i ka shkrepur 7.000 raketa drejt Izraelit, sipas Ushtrisë së Izraelit. Pra, më shumë se në secilën prej katër luftërave të kaluara mes Izraelit dhe Hamasit qëkur ky grup militant e mori pushtetin në Gazë më 2007.

Vetëm më 7 tetor, në ditën e parë të luftimeve, Hamasi i lëshoi 2.000 raketa, sipas të dhënave nga West Point, Akademia Ushtarake e Shteteve të Bashkuara. Hezbollahu i Libanit i ka hedhur, po ashtu, qindra raketa në drejtim të Izraelit verior qëkur nisën luftimet.

Your browser doesn’t support HTML5

Raketat nga Gaza aktivizojnë Kupolën e Hekurt dhe nxisin evakuime në Izrael

Shumica e raketave janë vërejtur dhe shkatërruar nga Kupola e Hekurt. Por, disa ia kanë dalë të depërtojnë dhe t’i vrasin së paku 11 njerëz dhe t’i godasin ndërtesat e largëta deri në Tel Aviv, sipas zyrtarëve izraelitë.

Më poshtë mund t’i lexoni disa prej arritjeve – dhe kufizimeve – të Kupolës së Hekurt.

Si funksionin Kupola e Hekurt?

Kupola e Hekurt është e pajisur me një sërë baterish kundërajrore të cilat përdorin radarë për t’i vërejtur raketat me rreze të shkurtra veprimi dhe për t’i shkatërruar ato.

Secila bateri kundërajrore i ka nga tri apo katër hedhës, 22 raketa dhe një radar, sipas Raytheon, gjigantit amerikan të mbrojtjes, i cili i bashkëprodhon këtë kundërajror me kompaninë izraelite Rafael Defense Systems.

Në çastin që radari e vëren raketën, sistemi përcakton nëse raketa është nisur drejt zonës së populluar.

Nëse po, e hedh një predhë për ta shkatërruar raketën. Nëse sistemi përcakton se raketa është nisur drejt një fushe të hapur apo drejt detit, atëherë e lejon të bjerë, në mënyrë që t’i ruajë predhat e veta. Sipas ushtrisë, të gjitha këto ndodhin brenda hapësirës ajrore të Izraelit.

Kupola e Hekurt e Izraelit vëren dhe shkatërron raketa të hedhura nga Rripi i Gazës në Ashkelon, jug të Izraelit.

Ushtria e Izraelit nuk ka dashur të tregojë se sa bateri kundërajrore të Kupolës së Hekurt janë të zhvendosura tani për tani. Por, nga viti 2021, Izraeli i ka vendosur 10 bateri kundërajrore nëpër vend, secila prej tyre në gjendje për ta mbrojtur një hapësirë prej 155 kilometra katror, sipas Raytheon.

Sa e saktë është Kupola e Hekurt?

Përafërsisht 90 për qind e saktë, sipas Rafaelit.

Por, ajo mund të mposhtet nëse shkrepen një breshri e madhe raketash, duke i lënë disa prej tyre të kalojnë. Megjithëse ka vepruar shumë mirë deri tani, rreziku mund të rritet nëse Hezbollahu futet në luftë.

Raportohet se Hezbollahu i ka 150.000 raketa dhe predha.

Sa i shtrenjtë është ky kundërajror?

Çdo predhë kushton rreth 40.000 deri në 50.000 dollarë, sipas Institutit për Studime të Sigurisë Kombëtare në Tel Aviv.

Shtetet e Bashkuara kanë investuar shumë në këtë kundërajror, duke ndihmuar me koston e zhvillimit dhe duke e rimbushur atë gjatë luftimeve.

SHIKONI EDHE: Biden: Mbështetja për Izraelin dhe Ukrainën është jetike për sigurinë e SHBA-së

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se do t’ia kërkojë Kongresit amerikan 14.3 miliardë dollarë ndihma ushtarake për Izraelin. Shumica e atyre parave do të ndihmonin sistemet e mbrojtësve kundërajrorë dhe raketorë, sipas Shtëpisë së Bardhë.

“Ne po e rrisim ndihmën shtesë ushtarake, përfshirë municionin dhe predhat për ta rimbushur Kupolën e Hekurt”, tha Biden.

Përgatiti: Ekrem Idrizi