Kushtetuta e Republikës së Kosovës e lejon martesën e gjinisë së njëjtë. Por, mbetet Ligji i familjes ai që nuk e saktëson një gjë të tillë, duke u përmendur vetëm bashkëjetesa në mes të gjinisë së njëjtë.
Megjithatë, rreth 20 për qind e popullatës së përgjithshme në botë thuhet se kanë tendenca të orientimit homoseksual, lesbike, biseksual apo transgjinor.
Ky komunitet në Kosovë përballet me sfida mjaft të mëdha. Kosova është vendi me homofobinë më të madhe në gjithë rajonin e Ballkanit, kanë thënë oragnizatat për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit, në Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë.
Edona B, e njohur për redaksinë, i takon komunitetit LGBTI. Ajo duke folur për Radion Evropa e Lirë thotë se pavarësisht që nuk është ndonjë fjalë që e ndalon martesën mes gjinisë së njëjtë, në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, prapë ligji e përcakton martesën vetëm në mes sekseve të ndryshme, dhe sic thotë ajo pa u ndryshuar ky ligj, nuk ka asnjë të drejtë ligjore që të realizohet martesë mes gjinisë së njëjtë.
"Thjesht në Kosovë nuk është e lejuar martesa mes gjinisë të njëjtë. Unë mendoj që ligji mbi familjen/martesën, i Republikës së Kosovës duhet të ndërroj, pasi që neni i Kushtetutës së Republikës së Kosovës nuk ka kurrfarë vlere nëse pika 2 e saj e kushtëzon martesën në bazë të ligjit mbi familjen i cili ligj e ndalon këtë të drejtë’’, ka thënë ajo.
Instituti Kombëtar Demokratik ka bërë publik kohë më parë një raport sipas të cilit vetëm 3 për qind e të anketuarve janë përgjigjur se do ta pranonin fëmijën si anëtar të komunitetit LGBT, derisa 97 për qind, kanë thënë se nuk do t’i lejonin të jetojnë në shtëpi anëtarët e këtij komuniteti.
Luljeta Demolli, drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, i tha Radios Evropa e Lirë se martesa mes gjinisë së njëjtë duhet të ndodhë në Kosovë, meqë një gjë të tillë e garanton Kushtetuta e Republikës së Kosovës.
‘’Kushtetuta jonë e lejon martesën e gjinisë së njëjtë, derisa de fakto ligji I familjes nuk e ka bërë aktiv në këtë drejtim ende, dhe nuk ka nene ende ku flitet për këtë martesë. Flitet për bashkëjetesën por jo me u saktësua që lejohet martesa për gjininë e njëjtë përmes ligjit të familjes. Ne si organizatë jemi për kushtetutën e Kosovës dhe lejimin e martesës me të njëjtën gjini, tha Demolli.
Në Qeverinë e Kosovës, saktësisht në zyrën për Qeverisje të Mirë në zyrën e kryeministrit është ripërsëritur qëndrimi se megjithëse Kosova ka shënuar përparime në respektimin e të drejtave të komunitetit LGBTI, problemet mbeten ende të shumta
Ndryshe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës për të Drejtën e Martesës dhe Familjes thuhet se ‘’Në bazë të pëlqimit të lirë, çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë familje në pajtim me ligjin. 2. Martesa dhe zgjidhja e saj rregullohen me ligj dhe bazohen në barazinë e bashkëshortëve. 3. Familja gëzon mbrojtje të veçantë të shtetit, në mënyrën e rregulluar me ligj’’.