Nuk mund të ketë shkëmbim joproporcional, ka thënë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kur është pyetur lidhur me kërkesën e të dërguarit të posaçëm të SHBA-së për dialogun Beograd-Prishtinë, Richard Grenell, që Beogradi të ndalë fushatën kundër njohjeve të Kosovës dhe që Prishtina ta heqë tarifën ndaj mallrave serbe.
Në Lëvizjen Vetëvendosje, lideri i së cilës, Albin Kurti, është mandatuar për formimin e Qeverisë së re të Kosovës, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë, se sa i përket kërkesës së ambasadorit Grenell, ata ritheksojnë qëndrimin tashmë të ditur që taksën 100 për qind do ta zëvendësojnë me një reciprocitet të plotë në ekonomi, tregti dhe në planin politik, duke shtuar se reciprociteti zbatohet gjerësisht në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Vuçiq nuk e pranon barazimin midis taksës dhe fushatës kundër njohjeve
Sidoqoftë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se ai nuk e pranon barazinë midis taksës dhe lobimit për tërheqjen e njohjeve.
"Ne kemi një qëndrim të ndryshëm me Amerikën dhe Prishtinën për njohjen e Kosovës. Ata duan që ajo pavarësi të njihet, ne nuk duam. Por, ne nuk jemi fajtorë për vendosjen e taksës. Ne nuk i vendosëm ato ndaj Prishtinës kur ajo shpalli pavarësinë më 2008", tha Vuçiq.
Ai shtoi se detyrë e Beogradit është t'i kundërshtojë përpjekjet e Prishtinës për t'u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare.
Muja: Vetëm liberalizimi i vizave mund ta heqë taksën
Në Prishtinë nuk ka pasur ndonjë koment nga ana e zyrtarëve lidhur me kërkesën e ambasadorit Grenell.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Albin Kurti, njëherësh mandatar për formimin e qeverisë së re të Kosovës, ka shkruar në Twitter se në takim me Grenellin kanë diskutuar për nevojën urgjente për t'u përqendruar në zhvillimin ekonomik dhe hapjen e mundësive të punësimit.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, tha se me diplomatin amerikan kanë rënë dakord që zhvillimi ekonomik është mënyra më e mirë për të ecur përpara.
*Video nga vizita e Grenellit në Prishtinë
Your browser doesn’t support HTML5
LDK-ja dhe VV-ja po tentojnë që të arrijnë një marrëveshjeje bashkëqeverisjeje, mirëpo deri më tash bisedimet ndërmjet tyre nuk kanë pasur sukses.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, menjëherë pas zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit në Kosovës, lideri i VV-së, Albin Kurti e kishte sqaruar se çfarë do të thotë reciprociteti i plotë me Serbinë.
“Ne jemi jo vetëm të gatshëm, por edhe të interesuar që tarifën 100 për qind, ta zëvendësojmë me reciprocitet të plotë me Serbinë në përputhje me Rezolutën e Kuvendit të Kosovës të datës 7 dhjetor 2011. Serbia nuk mund të presë që ajo të sillet mbrapsht e keq me neve, e ne të mos e mbrojmë interesin tonë".
"Edhe sa i përket dokumentacionit të mallrave, certifikatës së prodhimit të mallit, edhe sa i përket targave të automjeteve, qofshin për qarkullimin e udhëtarëve apo të mallrave, shpedicionit e kështu me radhë, qoftë sa i përket investimeve te njëri- tjetri, duhet ta përdorim parimin e reciprocitetit si garantues normal i bilateralizmit konstruktiv midis Kosovës dhe Serbisë”, kishte deklaruar Kurti.
*Video nga arkivi: Intervistë me Albin Kurtin
Your browser doesn’t support HTML5
Edhe pse beson se heqja e taksës do të ndihmonte në vazhdimin e dialogut, njohësi i çështjeve politike, Armend Muja, nuk beson se kjo çështje do të jetë në agjendën e qeverisë së re në gjysmën e parë të këtij viti.
Ai beson se partitë që formojnë qeverinë e ardhshme, do të përballen me shumë presion të brendshëm për të mbajtur në fuqi taksën.
"Do të ketë presion për të ofruar diçka tjetër në këmbim. Unë mendoj se vetëm liberalizimi i vizave mund ta detyrojë qeverinë e ardhshme të marrë një vendim të tillë. Taksa, me të gjitha polemikat, është një instrument që Kosova e ka përdorur si rezultat i tërheqjes së njohjeve, por edhe si një masë popullore brenda vendit”, deklaron Muja.
Lishanin: Nuk është realiste që Beogradi të heqë dorë nga fushata
Derisa qeveria e udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, që nga nëntori i vitit 2018 po e mban në fuqi taksën ndaj mallrave serbe, Beogradi ka lobuar në mënyrë aktive për të tërheqjen e njohjeve të Kosovës.
Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, i tha parlamentit serb se fushata për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, ishte një projekt shtetëror.
Më herët, ai njoftoi për mediat lokale se do të kishte më shumë tërheqje të njohjes së Kosovës këtë vit.
Mladen Lishanin nga Instituti për Studime Politike, me bazë në Beograd, mendon se nuk është realiste që Beogradi të heqë dorë nga fushata e tërheqjes tani, por thotë se autoritetet serbe do të ishin të gatshme - siç ka thënë edhe presidenti Vuçiq - për të diskutuar për këtë çështje.
Lishanin tha se kjo mund të nënkuptojë një marrëveshje më të gjerë, në të cilën Prishtina përkohësisht do të vinte një moratorium në aplikimin për anëtarësime të reja në organizata ndërkombëtare, dhe pastaj të diskutohet për të gjitha këto, pasi të arrihet një marrëveshje më e gjerë.
"Kam përshtypjen se tani, në fakt, qëllimi nuk është të bëjmë një veprim konkret, por të që të tregohet se të dyja palët janë të gatshme të punojnë për normalizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve", vlerëson Lishanin.
Dialogu politik për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës filloi në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së më 2013, dhe u ndërpre kur Kosova vendosi taksën ndaj mallravet serbe.
Në tetor 2019, presidenti amerikan, Donald Trump, emëroi ambasadorin amerikan në Berlin, Richard Grenell, si të dërguarin special presidencial për bisedimet Beograd-Prishtinë.
"Është e qartë se administrata Trump, në këtë mënyrë, dëshiron të paraqitet si një administratë kompetente e cila mund të arrijë suksese të politikës së jashtme, edhe nëse ato nuk janë të prekshme dhe të qëndrueshme në një afat të gjatë", tha Mlladen Lishanin.
Ai këtë e ndërlidh me fushatën presidenciale në Shtetet e Bashkuara.
"Nuk mendoj se perspektiva e arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse,mund të pasojë deri në javën e parë të nëntorit dhe zgjedhjet presidenciale në SHBA-së ”, konsideron Lishanin.