BDI ORGANIZON PROTESTA PAS MOSPËRFSHIRJES NË QEVERI

Isuf Kadriu, Shkup

Në shenjë pakënaqësie ndaj siç thuhet mosrrespektimit të votës shqiptare, sot në të gjitha qytetet e Maqedonisë të banuara me shqiptarë, janë organizuar protesta nga Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Partia e Prosperitetit Demokratik, parti këto që fituar numrin më të madh të deputetëve në zgjedhjet parlamentare të 5 korrikut.

Protestat janë mbajtur me bllokimin gjysëm orësh të rrugës magjistrale që nga Struga e deri në Kumanovë, ndërsa në Shkup bllokim të rrugëve ka patur në 4 udhëkryqet kryesore të kryeqëndrës së Maqedonisë.
"Kjo është e vetmja mënyrë që Nikolla Gruevskit t'i kujtohet dhe t'i thërrasë strukturat e Bashkimit Demokratik, ose strukturat legjitime të shqiptarëve, të ulen të bisedojnë dhe ata të cilët janë legjitimë, t'i përfaqësojnë shqiptarët atje ku duhet të përfaqësohen dhe jo në rrugë", tha Bekim Neziri, kryetar i komisionit të protestave për qytetin e Shkupit.

Mbrojtja e votës së popullit shqiptar është qëllimi i vetëm i protestës së sotme, pasi shqiptarët janë ata që përcaktojnë se cila parti do t'i përfaqësojë në qeveri, thanë disa nga protestuesit.
"Qeveria e re nuk është legjitime për pjesën shqiptare në Republikën e Maqedonisë, e cilat nuk e respektoi vullnetin e shqiptarëve në Maqedoni. Është nënçmim i gjithë shqiptarëve, jo vetëm i 120 mijë votave të BDI-së, por është nënçmim i të gjithë shqiptarëve. Nuk mund të respektoj një institucion, nëse ai institucion nuk më respekton mua", tha njëri nga protestuesit për Radion Evropa e Lirë.

"Kemi dalë këtu për të mbrojtur legjitimitetin e partisë e cila ka fituar zgjedhjet. Nuk mundet çdokush të bëjë koalicion, sepse ka rregulla. Këto protesta janë protesta tejet të mira, të qeta. Siç e shihni nuk ka agresivitet, s'ka parrulla apo thirrje jonjerëzore", shton një pjesëmarrës tjetër në protestë.

Ndërkohë në protestat e sotme kanë marrë pjesë të gjithë drejtuesit shqiptarë të komuanve, që udhëhiqen nga Bashkimi Demokratik për Integrim.
"Edhe njëherë tregojmë që kjo qeveri nuk ka legjitimitet tek populli shqiptar. Kjo qeveri do të thyejë dinjitetin e popullit shqiptar, do të përdhosë votën shqiptare, do të shuajë vlerat, të cilat u krijuan me sakrifica shumë të rënda, me jetën dhe gjakun e dëshmorëve të 2001-it", tha Izet Mexhiti, kryetar i komunës të Çaidit, i bindur se protesta do të ndërgjegjësojë, siç shprehet ai mandatarin Nikolla Gruevski, për të mos shkelur mbi vullnetin e shumicës shqiptare.
"Besoj se do të ketë efektin e vet për t'u kthjelluar dhe për të vendosur në të mirën e qytetarëve të Maqedonisë."

Edhe Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë në Maqedoni, ka përkrahur protestat e sotme.
"Që të ketë parti shqiptare duhet të respektohet vota shqiptare. Nëse nuk respektohet vota shqiptare, atëhere nuk ka parti shqiptare. Ata shqiptarë le t'i instalojnë nëpër partitë maqedonase dhe kush të fitojë prej maqedonasve atëhere t'i bashkangjiten", tha Nuhid Dardhishta, nënkryetar i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë.

Protestat do të mbahen edhe gjatë ditëve të ardhshme, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e mbajtjes së një proteste gjithëpopullore para parlamentit, ditën e votimit të qeverisë së re, e cila duhet të formohet deri më 20 gusht.