PRISHTINË

“Kosova kurrë s’ka qenë më afër Bashkimit Evropian dhe integrimit të saj në të”, ka thënë kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha gjatë vizitës së tij rajonit të Dukagjinit.
Ditën e tretë të vizitës së tij në Kosovë, kryeministri shqiptar e kaloi në rrafshin e Dukagjinit, ku ka sjellë porosinë se Shqipëria mbështet fuqishëm pavarësinë e Kosovës. Kryeministri Berisha ka konstatuar se nga vizita e tij bërë anembanë Kosovës ka parë se ajo kurrë nuk ka qenë më afër krijimit të një shteti të lirë e demokratik.
“Kudo që shkoj shoh një Kosovë të ndërtuar, kudo që shkoj gjej institucione demokratike. Kosova s’ka qenë kurrë më afër Evropës kurrë s’ka qenë më afër integrimit se sa është sot, vepër e madhe e juaj, vepër e atyre qindra mijëra burrave e grave që erdhën në Kosovë dhe së bashku me ju ndërtuan shtetin e lirë të Kosovës”, tha kryeministri Berisha.
Berisha e ka quajtur vizitë shpirtërore qëndrimin e tij të sotëm në Pejë, Gjakovë e Prizren.
Në ditën e tretë të qëndrimit në Kosovës, kryeministri Sali Berisha, është shpallur qytetar nderi i Gjakovës.