MITROVICË

Kuvendi komunal i Zubin Potokut, në një seancë të jashtëzakonshme të mbajtur sot ka marrë vendim që të ndërpresë çdo formë të bashkëpunimit me institucionet vendore të Kosovës. Komuna e Zubin Potokut dhe ajo e Leposaviçit kanë përkrahur në parim vendimin e ngjashëm të kuvendit komunal të Zveçanit, të miratuar në 5 qershor, përmes së cilit është shpallur siç është thënë gjendja e jashtëzakonshme në veri dhe është ndërprerë komunikimi me administratën vendore dhe atë të Kombeve të Bashkuara. Për dallim nga vendimi i 5 qershorit, në të cilin është përfshirë dhe mosbashkëpunimi me UNMIK-un, serbët sot janë përmbajtur nga një veprim i tillë.