SHQIPËRIA NËNSHKRUAN MARRËVESHJEN E ASOCIIM STABILIZIMIT ME BE-NË

Augustin Palokaj, Bruksel

Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha ka nënshkruar sot në Luksemburg, Marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit me Bashkimin Evropian, ndërsa nga ana e BE-së të njëjtën marrëveshje e ka nënshkruar kryesuesja e radhës e Këshillit të Ministrave të BE-së Ministrja e Jashtme e Austrisë, Ursula Plasnik, Komisioneri i Zgjerimit Oli Rehn, si dhe të gjithë ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të BE-së.
Sali Berisha e ka quajtur këtë ngjarje si ngjarje historike dhe ngjarje që shënon ribashkimin e Shqipërisë me familjen evropiane. Zyrtarët e BE-së thonë se me këtë marrëveshje Shqipëria po bën një hap të rëndësishëm në rrugën drejt BE-së dhe ajo marrëveshje do të sjellë dobi për Shqipërinë si shtet, por edhe për qytetarët e saj. Shqipëria kështu bëhet shteti i tretë me rradhë i rajonit të Ballkanit perëndimor, i cili arrin një marrëveshje të tillë me Bashkimin Evropian. Deri tani marrëveshje të tilla më parë kanë nënshkruar vetëm Kroacia dhe Maqedonia.
Por sot Shqipëria është kujtuar se përveç të drejtave dhe beneficioneve, marrëveshja sjell dhe obligime dhe ato duhet të përmbushen. Nga Shqipëria kërkohet të bëhet më shumë punë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, të mbrohen më shumë liritë e mediave dhe të rregullohen çështjet e privatizimit, pronësisë dhe kompenzimit.
Në ceremoninë e sotme të nënshkrimit të Marrëveshjes së Asociim Stabilizimit, me delegacionin shtetëror shqiptar kishin ardhur dhe përfaqësuesit e opozitës shqiptare Pandeli Majko dhe Ilir Meta, më parë dhe kryeministra të Shqipërisë, të cilët kishin luajtur po ashtu rol në negociatat për Bashkimin Evropian për këtë marrëveshje. Të pyetur se a e shohin me xhelozi faktin se këtë marrëveshje tani po e nënshkruan Sali Berisha, edhe Meta dhe Majko pohuan se jo, sepse marrëveshjen e nënshkruan kryeministri i Shqipërisë dhe ajo është e rëndësishme për të gjithë qytetarët e Shqipërisë dhe për shtetin. Deri në hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje duhet të kalojë dhe procesi i ratifikimit nga ana e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe nga Shqipëria. BE-ja ka thënë se me kujdes do të ndjekë edhe zbatimin e të gjitha pjesëve të kësaj marrëveshjeje nga ana e Shqipërisë.
Po sot ministrat e BE-së në takimin e tyre në Luksemburg, kanë miratuar dhe deklaratën për Malin e Zi. Në të thuhet se BE-ja merr vendim formal për të zhvilluar tani e tutje raportet me Malin e Zi, si me një shtet të pavarur dhe sovran. Njohjen formale të pavarësisë do ta bëjnë shtetet anëtare të BE-së në baza individuale në kuadër të ligjeve dhe traditës ndërkombëtare, thuhet në dokument. Sipas deklaratës së BE-së njohja e pavarësisë së Malit të Zi, bëhet si rezultat i faktit se referendumi në këtë shtet ka qenë i rregullt dhe legjitim dhe shumica e popullit të Malit të Zi kanë votuar që të pavarësohet.
Po ashtu sot dhe ministrat e BE-së u kanë bërë të qartë vendeve të Ballkanit se kanë perspektivë evropiane që të gjitha, por duhet të kenë parasysh përmbushjen e kritereve. Serbisë sidomos i është dërguar porosi se duhet të bashkëpunojë me Tribunalin e Hagës, nëse dëshiron që të vazhdohen negociatat për Marrëveshjen e Asociim Stabilizimit.