BEOGRAD

Misioni vëzhgues i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë ka vlerësuar se referendumi për pavarësinë e Malit të Zi ka kaluar në atmosferë demokratike dhe korrekte. Siç është kumtuar nga Ministria e jashtme e Unionit Serbi – Mali i Zi, misioni i OSBE-së i ka dorëzuar sot ministrit të jashtëm të këtij unioni, Vuk Drashkoviq, raportin lidhur me referendumin në Mal të Zi. OSBE-ja, ka thënë më herët se votimi i djeshëm është "realizuar plotësisht në harmoni me rekomandimet e OSBE-së dhe të Këshillit të Evropës dhe se janë respektuar edhe standardet e tjera ndërkombëtare të procesit zgjedhor demokeratik".