DANEZI GASPER KLUNGE CAKTOHET PËR HARTIMIN E PLANEVE TË PRANISË SË BE-SË NË KOSOVË PAS STATUSIT

Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Bashkimi Evropian tashmë ka nisur të konkretizojë planet për rolin e tij të ardhshëm në Kosovë në fushën e policisë dhe drejtësisë, thanë sot drejtues të zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, duke bërë të ditur se tash është emëruar edhe personi që do ta hartojë planin për misionin e BE-së në Kosovën me status të zgjidhur. Këtë e ka bërë të ditur Torbjorn Sohlstrom, përfaqësuesi personal i përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Javier Solana:
"BE ka emëruar zotin Gasper Klunge, qytetar danez, që bashkë me zyrën tonë të nisë hartimin e planeve për misionin e mundshëm të BE-së në të ardhmen, në fushën e policisë dhe drejtësisë," tha zoti Sohlstrom, për të shtuar se bashkë me zotin Klunge gjatë këtij muaji, për këtë qëllim do të arrijnë në Prishtinë edhe 15 deri 20 ekspertë të Bashkimit Evropian.
Zoti Sohlstrom tha se vetë vizitat e kryeministrit Çeku dhe ministrave të policisë e drejtësisë në Bruksel, janë në funksion të dizajnimit të këtij roli të BE-së:
"Mënyra se si ne e planifikojmë rolin e BE-së në të ardhmen në Kosovë, është një rol i partneritetit me autoritetet e Kosovës," tha zoti Sohlstrom.
Në anën tjetër, shefi i zyrës së ndërlidhjes të BE-së në Kosovë, Giorgio Mamberto tha se procedura për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian është e njëjtë me vendet e tjera:
"Procedura është e njëjtë për të gjithë kandidatët e rinj apo shtetet anëtare, pasi ekziston një listë synimesh për vendet kandidate me kërkesa, të cilat duhet të përmbushen," shpjegoi Giorgo Mamberto, sipas të cilit për Kosovën tashmë është bërë një vlerësim dhe edhe Kosova do të kalojë nëpër të gjitha procedurat në rast të vlerësimit se janë plotësuar kushtet për t’u kandiduar për anëtarësim në BE.
Ndërkaq, përfaqësuesi i zotit Solana, Tornbjorn Sohlstrom, tha se Kosova do të gëzojë të gjitha mundësitë e integrimit në BE, ashtu si edhe vendet e rajonit:
"Cilat do që të jenë elementet e tjera të zgjidhjes së statusit, Kosova duhet të jetë në gjendje të shfrytëzojë të gjitha mundësitë e ofruara nga procesi i integrimeve evropiane," tha Sohlstrom, sipas të cilit kjo do të thotë se pas zgjidhjes së statusit, sapo të përmbushen kushtet e kërkuara Kosova të jetë në gjendje negociojë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, ashtu sikurse edhe pjesa tjetër e rajonit.