VJENË

Në kryeqytetin e Austrisë sot ka filluar takimi i katërt dhe i fundit i Prishtinës dhe Beogradit mbi decentralizimin në Kosovë.
Para takimit kryesuesi i delegacionit të Kosovës Lutfi Haziri u deklararoi gazetarëve se delegacioni nga Prishtina ka ardhur i përgatitur me propozime konkrete, për rregullimin e pushtetit vendor në Kosovë, përfshirë dhe komunat e reja. Lidhur me Mitrovicën Haziri tha se sipas propozimit të palës shqiptare, ajo do të jetë me dy njësi nënkomunale por kur të mbahen zgjedhjet lokale në Kosovë at'herë Mitrovica do të duhet të kishte vetëm një kryebashkiak, që duhet të dilte nga këto zgjedhje.
Ndërkaq pala serbe është përfaqësuar nga Dushan Batakoviç, këshilltar i presidentit të Serbisë, i cili tha se delegacioni serb ka ardhur me propozimin për themelimin e 17 komunave të reja serbe.
Takimin në Vienë e drejton Albert Rohan, zëvendës i të dërguarit të posaçëm të KB për statusin e Kosovës.