Shtëpia e Bardhë sot ka hedhur poshtë sugjerimin e senatorit amerikan, që Iraku të ndahet në tri rajone autonome. Zëdhënësi Scott McClellan u tha reporterëve se Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara për "Irakun federal, demokratik, pluralist dhe të bashkuar". Ai u shpreh se ka pak dëshmi për mbështetje brenda Irakut për ndarjen e këtij vendi në pjesën shiite, kurde dhe sunite, siç ka propozuar senatori udhëheqës demokrat në Shtetet e Bashkuara, Joseph Biden. Zoti Biden tha se Iraku do të duhej të ndahej në tri pjesë të mëdha autonome, pas dështimit të administratës së presidentit Bush për ta ndërtuar një qeveri të fuqishme qendrore në Bagdad. Këto komente, senatori Biden i bëri në një artikull të botuar sot në të përditshmen Nju Jork Tajms.