BRUKSEL

Krerët e Bashkimit Evropian dhe të NATO-s, Javier Solana dhe Jaap de Hoop Scheffer e kanë vlerësuar si të "tepruar" qëndrimin e shefit të diplomacisë serbo-malazeze Vuk Drashkoviq, se pavarësia e imponuar e Kosovës do të kishte pasoja për të gjitha lëvizjet separatiste dhe rajonet në botë.
Në debatin e Forumit Transatlantik në Bruksel, Solana nënvizoi se nuk mund të thotë si do të jetë statusi i ardhshëm i Kosovës, sepse "ai nuk e di".
"Zgjidhja e statusit të Kosovës është në zanafillën e saj dhe nuk mund të mendohet se zgjidhja për Kosovën do të kishte vlera universale", tha Solana.
Schefer tha se Serbia duhet të ketë rol pozitiv në negociatat për statusin e Kosovës, dhe ta arrestojë krye të dyshuarin për krime lufte Ratko Mlladiq, si parakusht për integrimet euroatlantike.
Në diskutim mori pjesë edhe ish ambasadori amerikan Richard Holbrooke.
"Më duhet të them se me gjithë respektin ndaj miqve të mi në Serbi, tragjedia kosovare megjithate do të përfundojë me pavarësinë e Kosovës", tha ai.
"Mënyra se si do të ndodhë kjo është e një rëndësie të madhe për të ardhmen e Evropës", tha Holbrooke, duke shtuar se "tragjedi është gjithçka që ka ndodhur në Kosovë prej vitit 1912 apo 1389".