KOMBET E BASHKUARA

Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore sot do t'i paraqesë Këshillit të Sigurimit raportin mbi programin bërthamor të Iranit.
Raporti pritet që të akuzojë Teheranin për mospërmbushje të kërkesës së Kombeve të Bashkuara, për të ndërprerë pasurimin e uraniumit.
Ndërkaq duke folur në Sofje, pas takimit të ministrave të jashtëm të NATO-s, Sekretarja amerikane e Shtetit Condoleezza Rice tha se Këshilli i Sigurimit "duhet të veprojë", me qëllim që të jetë i besueshëm në trajtimin e krizës rreth Iranit.
"Presidenti i SHBA-së George Bush nuk ka ndërmarrë asnjë nga opsionet e tij që ndodhen në tavolinë, por ne jemi të vendosur për një rrugë diplomatike e cila me unitet të mjaftueshëm, forcë dhe qëllim të përbashkët, të bëjë të mundur të bindë qeverinë e Iranin, se nuk është në kursin e duhur dhe se kjo, nuk do ta çojë tjetër kund veçse drejt izolimit" -tha Rice.
Por presidenti i Iranit Mahmoud Ahmadinejad sot përsëriti se vendi i tij nuk do t'ja vërë veshin kërkesave ndërkombëtare për të ndërprerë aktivitetet bërthamore. Ahmadinejad tha se Irani nuk "do të çajë kokën" për rezolutat e Këshillit të Sigurimit.