Lideri politik serb në Kosovë, Oliver Ivanoviç ka përshëndetur vizitën e presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu në Manastirin e Deçanit me rastin e Pashkëve ortodokse. Më tej, zoti Ivanoviç i ka thënë Agjensisë Franceze të Lajmeve se "vendimi i peshkopit Teodosije për ta pranuar presidentin Sejdiu, mund të hapë një faqe të re në historinë e marrëdhënieve serbo-shqiptare". Sipas tij, ky ishte një "hap shumë i guximshëm" duke pasur parasysh qëndrimin zyrtar të Kishës Ortodokse Serbe.