VJENË

Ekipet e Prishtinës dhe Beogradit janë takuar sot në raundin e tretë të bisedimeve në Vjenë me ndërmjetësimin e zëvendësnegociatorit Albert Rohan.
Fillimisht dy delegacionet janë takuar me kryenegociatorin Marti Ahtisari dhe më pas me dyer të mbyllura kanë vazhduar diskutimin e dokumentit të paraqitur nga zoti Rohan, nën drejtimin e këtij të fundit.
Pala serbe ka shprehur kundërshtimin lidhur me dokumentin në fjalë.
Kreu i delegacionit të Kosovës dhe njëherësh zëvendëskryeministri Lutfi Haziri theksoi se "kemi ardhur në Vjenë të diskutojmë decentralizimin, i cili do çojë drejt një Kosove të pavarur dhe sovrane". Më tej Haziri duke folur për planin e decentralizimit ka shtuar se "propozimi ynë përmban të gjitha garancitë për pakicat, përfshi dhe pakicën serbe. Serbët duhet të kenë të drejtën për vendimmarrje në nivel lokal".