BEOGRAD

Thelbi i qëndrimit amerikan për Kosovën është që përmes negociatave për statusin e ardhshëm, të arrihet një zgjidhje ku të gjitha grupet etnike do të jetojnë bashkë, në paqe dhe stabilitet, me një ardhmëri në BE, ka deklaruar ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Beograd Michael Polt.
"Nuk dëshirojmë në këtë moment ta përcaktojmë statusin e Kosovës, sepse ende nuk ka ardhur koha për këtë. Së pari duhet të bindemi se janë realizuar dhe përcaktuar elementët kyç që do mundësonin sigurinë e pakicave etnike", ka sqaruar Polt për gazetën Veçernje Novosti.
Ai ka shtuar se kur kjo të ndodhë, atëherë do të plotësohen edhe kushtet për vendimin përfundimtar, për të cilin ambasadori amerikan ka shfaqur shpresën se do të merret nga fundi i këtij viti.
Polt ka thënë se Uashingtoni e sheh situatën në Kosovë si problem unik, i cili kërkon zgjidhje unike.
"Kurrsesi nuk do të lejojmë që zgjidhja për Kosovën të jetë faktor destabilizues për rajonin", ka thënë ambasadori amerikan në Beograd.