THAÇI: PAVARËSIA E KOSOVËS NUK RREZIKOHET PREJ KOMUNITETIT SERB

Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Pavarësia e Kosovës nuk rrezikohet nga komuniteti serb, ndërkohë që çështja e Mitrovicës do të zgjidhet bashkë me statusin e Kosovës, por pa ndarje të saj, tha sot kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, në një tryezë të rrumbullakët me përfaqësues të organizatave joqeveritare në Prishtinë. Edhe pse e ka kritikuar qeverinë aktuale, zoti Thaçi tha se nuk ka asnjë dallim ndërmjet pozitës dhe opozitës në çështjet e statusit të Kosovës. Zoti Hashim Thaçi tha se komuniteti serb në Kosovë nuk është as i tepërt e as i huaj, prandaj në Kosovë nuk duhet të ketë qytetarë të diskriminuar apo të favorizuar. Ai tha se populli shumicë duhet të investojë në integrimin e pakicave dhe sipas tij, vullneti i shumicës së popullit për pavarësi nuk rrezikohet nga komuniteti serb.
“Pavarësia e Kosovës, demokracia në Kosovë dhe perspektiva evropian, nuk rrezikohen nga komuniteti serb. Sa më shumë që ata të gëzojnë të drejtat e tyre, aq më afër BE –së dhe NATO-së do të jemi; sa më të integruar të jenë ata, aq më afër do të jemi ndërtimit të shtetit modern demokratik dhe demokracisë qytetare”.
Zoti Thaçi tha se realiteti i pavarësisë së Kosovës ka ndodhur që në vitin 1999, kurse tani po zhvillohen negociata për mënyrën më të mirë të funksionimit të shtetit të Kosovës. Ai tha se në kuadër të bisedimeve nuk do të ketë marrëveshje të veçanta, por vetëm një
marrëveshje përfundimtare me bashkësinë ndërkombëtare për shtetin e Kosovës. Në këtë kuadër, zoti Hashim Thaçi tha se edhe çështja e Mitrovicës do të zgjidhet në kuadër të marrëveshjes përfundimtare për statusin, por pa ndarje të saj:
“Unë mendoj se çështja e Mitrovicës do të zgjidhet me zgjidhjen e statusit politik. Aty do të ketë prezencë të NATO-s, siç do të ketë prani të NATO-s edhe në tërë territorin e Kosovës, por assesi nuk vjen në shprehje ndonjë ndarje”.
Lideri i partisë më të madhe opozitare Hashim Thaçi, tha se në raport me pushtetin, nuk ka dallime për çështjen e statusit dhe se qëndrimet e opozitës për shtetin demokratik dhe sovran të Kosovës, janë identike me ato të pushtetit aktual, megjithatë ai përsëriti kritikat për, siç u shpreh, keqqeverisje:
“Sot në Kosovë po ndodh një zhgënjim i thellë. Vendi është duke u qeverisur në mënyrën më të keqe të mundshme. Kjo qeverisje e keqe është rezultat i alternativës që ka ofruar koalicioni aktual, një alternativë e paaftë funksionalisht, e pafuqishme
politikisht dhe e korruptuar”.
Shumica e pjesëmarrësve në këtë tryezë kanë parashtruar pyetje për zotin Thaçi, kryesisht lidhur me bisedimet për statusin, ndërkohë që nuk kanë lënë pa kritikuar ekipin negociues, përfshirë edhe zotin Thaçi, për qasjen rreth bisedimeve dhe për mospjesëmarrjen e femrave në delegacion dhe grupet punuese.