SALZBURG

Rruga e Kosovës drejt pavarësimit nga Serbia është "pothuaj e pashmangshme", tha sekretari i Jashtëm britanik Jack Straw.
"Ne i dijmë shqetësimet e qeverisë së Serbisë kundër pavarësisë së mundshme. Por është realitet se popullata serbe në fund do të duhet të pranojë se shumica e popullsisë në Kosovë e mbështesin pavarësinë", tha sekretari i Jashtëm britanik.
"Çdonjëri e pranon se gjendja para vitit 1999 është e paqëndrueshme si bazë për të ardhmen, dhe nëse kjo është kështu, atëherë rruga drejt pavarësisë bëhet pothuaj e pashmangshme", tha Straw.
Kjo është deklarata më e qartë e bërë deri sot nga një zyrtar i lartë, se fuqitë Perëndimore do ta mbështesin një formë të pavarësisë për Kosovën.
Këto komente, sekretari Straw i bëri në një konferencë për shtyp në takimin e ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian në Salzburg.