MBIPESHA E FËMIJËVE- PROBLEM GLOBAL SHËNDETËSOR

Jan Jun

Numri i fëmijëve me peshë të tepërt sa vjen e po shtohet në shumë vende të botës.
Ky është rezultati i një studimi të fundit të Revistës Ndërkombëtare për Mbipeshën Pediatrike.
Ekspertët thonë se ky është problem serioz. Fëmijët që kanë peshë më shumë se ç'duhet kanë gjasa për t'u sëmurur më shpesh, si për shembull nga diabeti apo anomalitë e zemrës, ndërsa kur rriten vdesin më herët se të rriturit e tjerë.
Mbipesha te fëmijët po bëhet problem tejet serioz botëror. Me ushqim të gabuar dhe mungesë të lëvizjes, gjenerata e re që po rritet mund të jetë më jetëshkurtër se prindërit e tyre dhe mund të vuajë nga më shumë sëmundje.
Këto janë zbulimet e raportit të fundit të një organizate ndërkombëtare, e specializuar për hulumtimin e mbipeshës tek fëmijët. Profesori Philip James është bashkë autor i studimit.
"Çështja është tepër serioze dhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë është përshkruar si problemi më i madh i panjohur në botë. Kjo s'ka ndodhur më parë në historinë e njerëzimit. Fëmijët sot janë bërë aq të trashë sa që në moshën e re u paraqitet diabeti. Në kohët e vjetra, diabeti zhvillohej vetëm kur i mbushje 60-vjeç", thotë James.
Ai thotë se një numër i raporteve të konfirmuara janë alarmante. Sipas studimit, një e katërta e fëmijëve në Bashkimin Evropian kanë peshë të tepërt. Pas 5 vjetëve, numri mund të rritet për 40%. Ndërkaq në Amerikën Veriore dhe Jugore, deri në vitin 2010, rreth gjysma e fëmijëve pritet të vuajnë nga mbipesha.
Rritja dramatike e mbipeshës në masë të madhe është nxitur nga pijet e gazuara dhe ushqimet e gatshme që përmbajnë shumë yndyrë dhe sheqer, të shoqëruara me aktivitet të pakët fizik.
Profesori James thekson se problemi nuk i shqetëson vetëm vendet e zhvilluara. Ai thotë se mbipesha tash shihet edhe si sëmundje e të varfërve.
"Kjo ndodh sepse në 30-40 vitet e fundit, gjithçka ishte e gabuar lidhur me ushqimin. Ne kemi prodhuar vajra dhe yndyrëra të lira, që janë tejet të rrezikshme dhe e shtojnë peshën kur konsumohen shpesh. Deri para 10 vitesh, Bashkimi Sovjetik dhe Evropa Qendrore kishin ushqim të tmerrshëm, sepse gjithçka ishte organizuar keq", thotë James.
Dr. Julian Shield është specialist i pediatrisë, dhe ligjërues në Universitetin e Bristolit në Britani. Ai është dakord me zbulimet e raportit dhe thotë se në to ndikojnë një sërë faktorësh. Fëmijët nuk hanë tre herë në ditë ushqime të gatuara në shtëpi, të kombinuara me mjaft fruta, perime dhe ujë të pijshëm, siç ndodhte më parë.
"Ata hanë ushqime të gatshme me shumë kalori dhe pijnë shumë lëngje të gazuara. Duke marrë parasysh aktivitetin e ulët fizik, atëherë pasoja është mbipesha, sepse kaloritë që konsumohen janë të tepruara", thotë Shield.
Ai thotë se edhe lëngjet e frutave ndikojnë shumë në mbipeshë, meqë përmbajnë sasi të mëdha sheqeri. Sipas raportit, nëse mesatarisht konsumohen vetëm 330 ml në ditë, atëherë për një vit fëmija mund të fitojë rreth 6 kg e gjysmë. Dr. Shield thotë se njerëzit që vijnë në klinikën e tij, shpesh herë as që janë të vetëdijshëm se çfarë konsumojnë.