PRISHTINË

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu dhe shefi i UNMIK-ut Soren Jessen-Petersen e kanë përjashtuar mundësinë e krizës qeveritare, duke i quajtur ndryshimet në Qeveri dhe Kuvend si nevojë për energji të reja.
"Institucionet demokratike po funksionojnë shumë mirë, dhe ajo që po ndodh është se të gjithë po e shohim nevojën për energji të re. Pra kjo nuk është krizë, por injektim i një energjie të re", ka thënë Jessen-Petersen.
Duke hedhur poshtë mundësinë për krizë qeveritare, presidenti Fatmir Sejdiu tha se ndryshimet kanë qenë përcaktim i partnerëve të koalicionit qeveritar.
"Zoti Çeku e ka marrë mandatin dhe e ka për borxh kushtetues të bëjë konsultimet e nevojshme me partitë politike, me partnerët e koalicionit dhe partnerët tjerë. Besoj që në kohën më të shkurtër, këtë ta bëjë edhe para parlamentit", tha presidenti Sejdiu.