UASHINGTON

Departamenti amerikan i Shtetit tha se dorëheqja e kryeministrit Bajram Kosumi dhe vendimi i LDK-së për të zëvendësuar kryetarin e parlamentit Nexhat Daci, janë vendime të brendshme të zyrtarëve shqiptarë të Kosovës.
Në deklaratën e Departamentit të Shtetit theksohet se Shtetet e Bashkuara presin që udhëheqësit e rinj të Kosovës të angazhohen në mënyrë konstruktive në bisedimet mbi statusin përfundimtar dhe t'i përshpejtojnë përpjekjet për përmbushjen e standardave për Kosovën.
Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara të punojnë me të dërguarin e posaçëm të Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisari, dhe të dyja palët në bisedime, për arritjen e një marrëveshjeje mbi statusin përfundimtar të Kosovës brenda këtij viti, thuhet më tej në deklaratën e Departamentit të Shtetit.