ROHAN: DATA E TAKIMIT TË VJENËS VARET NGA PALA KOSOVARE

Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Data e mbajtjes së takimit të Vjenës për decentralizimin ndërmjet delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë varet nga udhëheqja e Kosovës, ndërkohë që negociatorët e Kombeve të Bashkuara dhe pala serbe janë të përgatitur që ky takim të mbahet qysh nesër, ka thënë sot pasdite me të arritur në aeroportin e Prishtinës diplomati austriak Albert Rohan, zëvendës i të dërguarit të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisarit. Zoti Rohan sot në aeroport takoi shefin e UNMIK-ut Jessen Petersen, ndërsa ky i fundit nisej për në Londër, për të marrë pjesë në takimin e nesërm të Grupit të Kontaktit, ku do të marrë pjesë edhe zoti Ahtisari. Rohan tha se kishte ardhur që të informohej lidhur me zhvillimet politike në Kosovë pas vdekjes së presidentit Ibrahim Rugova dhe për të parë mundësitë e vazhdimit të procesit të përcaktimit të statusit të Kosovës:
"Qëllimi kryesor i vizitës sime është për të parë se sa shpejt mund ta ricaktojmë raundin e parë të bisedave direkte që qenë paraparë për të enjten e shkuar dhe që u desh të shtyhen," tha Rohan, duke vlerësuar se është në interesin e të gjithëve që këto negociata të nisin sa më shpejt që të jetë e mundur. Ai tha se nuk ka ndonjë afat të fundit kohor, brenda të cilit do të duhej të mbahej takimi Vjenës, por tha se ai dhe zoti Ahtisari, si edhe pala serbe ishin të gatshëm, kështu që varej nga kosovarët se sa shpejt mund të mbahen këto bisedime:
"Ne nuk kemi ndonjë afat të fundit kohor dhe gjithçka varet nga udhëheqja e Kosovës, pasi ne mund të nisin qysh nesër. Pra vërtet krejt varet nga ajo se sa shpejt mund ta kemi delegacionin e këtushëm për në Vjenë që të nisin bisedimet," tha zoti Rohan, i cili duke iu përgjigjur pyetjes nëse është e domosdoshme që të zgjidhet kryetari i Kosovës sa më shpejt, tha se ky është një vendim që u takon kosovarëve ta marrin.
"Ne do të merremi me secilin delegacion që do të vijë në Vjenë, që do të jetë delegacion i mandatuar në mënyrën e duhur," tha zëvendësi i kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës Albert Rohan, për të vlerësuar se sa më shpejt që fillojnë bisedimet, kjo do të jetë në interesin e të gjithëve.
Zoti Rohan gjatë ditës së nesërme do të takojë udhëheqësit më të lartë të Kosovës dhe anëtarët e ekipit negociues.