BRUKSEL

I dërguari i Kombeve të Bashkuara për procesin e statusit të Kosovës, Martti Ahtisaari tha se shpreson se bisedimet do të vazhdojnë në fillim të muajit të ardhshëm, pas periudhës së zisë për vdekjen e presidentit të Kosovës. "Shpresoj se sa më herët që është e mundshme në muajin shkurt do ti shohim palët në Vjenë", u tha reportëve zoti Ahtisari pas takimit që pati në selinë e Bashkimit Evropian. "Do të përpiqemi që të shohim se a është e mundshme që çështja e statusit të zgjidhet këtë vit", tha ai. Zoti Ahtisaari, gjatë javës së ardhshme në Londër do të marrë pjesë në mbledhjen e Grupit të Kontaktit për Kosovën.