PRISHTINË

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot një mbledhje përkujtimore në nderim të presidentit Rugova. Nënkryetari i LDK-së, Kolë Berisha, i cili drejtoi mbledhjen, tha se Ibrahim Rugova do të mbetet gjithnjë president i vendit, udhëheqës i saj shpirtëror dhe historik.
“Në këtë janar të kobshëm, Kosova humbi njeriun i cili me veprimet e tij i ndërroi rrjedhat e historisë të kësaj pjesë të botës. Në këtë janar të zisë kombëtare Kosova humbi arkitektin dhe strategun e pavarësisë së saj"- tha Berisha.
Ai vlerësoi se politika e tij e urtë dhe e mençur bëri që bota ti kuptoj drejtë kërkesat legjitime të Kosovës për liri e pavarësi.
Që nga themelimi i saj, 16 vjet më parë, Ibrahim Rugova, ishte kreator i politikës së kësaj partie. Pas mandatit të dytë në postin e presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova pati dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të LDK-së.