JANJIQ:"PËR KOSOVËN NUK VENDOSIN AS PRISHTINA DHE AS BEOGRADI"

Dushan JANJIQ, Kryetar i Forumit për Marrëdhënje Etnike në Beograd

EVROPA E LIRË
Zoti Janjiq, si i vlerësoni pozicionet e Prishtinës dhe Beogradit në prag të bisedimeve për statusin e Kosovës?

DUSHAN JANJIQ
Mund të them të dyfishta. Nga njëra anë ekziston bindja për seriozitetin e momentit dhe ka përgatitje serioze për bisedimet. Gjithashtu ekzistojnë edhe shenja të afrimit, për shembull për çështjen e decentralizimit, dhe në përgjithësi rreth katalogut të problemeve që duhet të diskutohen.
Nga ana tjetër, ende ekzistojnë dallime thelbësore dhe mospajtime në pozicionet e skajshme. Pra, mund të them se i vlerësoj si pozicione të ngulitura me paralajmërime për afrime të mundshme.

EVROPA E LIRË
Përmendët decentralizimin. Për javën e ardhshme në Vjenë është paralajmëruar fillimi i bisedimeve ndërmjet përfaqësuesve të qeverive të Kosovës dhe Serbisë. Si e shihni ju këtë proces të decentralizimit?

DUSHAN JANJIQ
Këto bisedime që u organizuan nga Aide, Rohan dhe Ahtisari, para së gjithash i shoh si vazhdim të bisedimeve që u mbajtën në shtator të vitit të kaluar në Vjenë, dhe si sprovë për të parë nëse vërtetë problemi i decentralizimit bën pjesë apo jo në agjendën kryesore të bisedimeve për statusin e ardhshëm të Kosovës. Pra, vetëm pas bisedimeve në Vjenë do të mund të shohim nëse ekziston gatishmëria e tre palëve, bashkësisë ndërkombëtare, Beogradit dhe Prishtinës, që decentralizimi të hyjë në agjendën kryesore. Unë personalisht konsideroj dhe me vite të tëra kam pohuar se ky është fillim i bisedimeve serioze. Problemi i decentralizimit është një nga problemet që ndihmon të zgjidhet çështja e statusit, dhe ç'është më kryesorja çështja e mosbesimit dhe e ndjenjës së pasigurisë tek të dyja palët që nuk i besojnë njëra tjetrës. Shqiptarët konsiderojnë se propozimi i Beogradit është tepër i fokusuar në statusin final, dhe se Beogradi përpiqet, duke i shfrytëzuar problemet e serbëve, të cilat nuk mund të mohohen, në të vërtetë ta rishkruajë territorin e Kosovës.
Nga ana tjetër, serbët nuk u besojnë shqiptarëve, sidomos për shkak të idesë që një herë të bëhet bartja e pushtetit në Kosovë, e pastaj decentralizimi. Shqiptarët një herë e duan pavarësinë, e pastaj të krijohen kushtet për mbrojtje institucionale. Mendoj se kjo është një çështje shumë e rëndësishme, dhe është mirë që Ahtisari dhe Rohan atë e trajtojnë si çështje testuese.

EVROPA E LIRË
Zoti Janjiq, cili është qëndrimi juaj për platformën e ekipit negociator serb në bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës?

DUSHAN JANJIQ
Mendoj se këtu duhet të shihen dy gjëra. E para, që gjatë vetë rrjedhës së bisedimeve për statusin do të konstituohen ekipet. Kjo që tash e kemi, pra të ashtuquajturat ekipet kryesore negociatore dhe anëtarët e këtyre ekipeve, janë vetëm fillimi. Pas kësaj do të zhvillohen shumë ekipe apo grupe punuese.
Dhe, këtu situata është si vijon. Serbia është shtet. Dihet se do të marrin pjesë ministritë, por mbetet vetëm problemi i serbëve të Kosovës - ku do të paraqiten ata. Kjo do të varet shumë nga bisedimet për decentralizimin. Pra, nëse Prishtina dhe Beogradi arrijnë kompromis, duhet të pritet që në muajt e ardhshëm të fillojë një dialog intenziv lokal ndërmjet serbëve, shqiptarëve dhe institucioneve të Kosovës, kuptohet me pjesëmarrjen e kohëpaskohshme të Beogradit dhe të ndërmjetësuesve ndërkombëtarë. Prandaj mendoj se çështja kyçe do të jetë se kush do t'i përfaqësojë serbët e Kosovës, sepse ato janë masa për matjen e suksesit të arritur. Nëqoftëse udhëheqësit shqiptarë dhe institucionet e Kosovës do të gjenin kompromis me serbët e Kosovës, atëherë mund të flasim për një të ardhme stabile të Kosovës. Për këtë çështje tash është e pamundur të jepet përgjigje, por është e qartë se këta serbë para së gjithash, do të përfaqësohen nga njerëz të cilët e kanë mbështetjen e Beogradit dhe të grupeve të interesit të serbëve në Kosovë.

EVROPA E LIRË
Dhe në fund z. Janjiq, shumë diplomatë perëndimorë kanë vlerësuar se ky vit do të jetë vendimtar për rajonin, në kuptimin e formimit të shteteve të reja në Ballkan.
Si e shihni ju rezultatin përfundimtar të bisedimeve për statusin e Kosovës dhe të referendumit për pavarësinë e Malit të Zi?

DUSHAN JANJIQ
Më duhet të them se ndoshta për shkak se jam ballkanas dhe jam i ngopur me atë prodhim perëndimor të historisë së Ballkanit, jam i sigurtë se 2006-ta nuk do të jetë vit i krijimit të shteteve të reja. Nga tërë ajo që dihet nga agjenda ndërkombëtare, 2006-ta është vit i sqarimit të statusit të ardhshëm të Kosovës dhe të Malit të Zi, por është e vështirë të thuhet nëse do të bëhet dhe kur do të bëhet zbatimi i tyre. Unë më tepër pres nga 2007-ta kur do të sjellet ndonjë rezolutë e re për Kosovën, apo do të mbahet një Konferencë rajonale, e cila do t'i japë elementet për atë rezolutë. Të mos harrojmë se ajo që duhet të bëhet këtë vit janë bisedimet për statusin e ardhshëm. Bisedimet nuk janë negociata, bisedimet nuk janë sjellje e vendimeve, bisedimet janë përgatitje për marrjen e vendimeve. Por, ajo që më së shumti i mundon shqiptarët dhe serbët, është se si do të jetë formula ndërkombëtare e statusit të ardhshëm të Kosovës. Këtë nuk mund ta vendosin as Beogradi e as Prishtina. Këtë e vendos Këshilli i Sigurimit. Prandaj, unë e dij se disa të huaj dëshirojnë që përmes kanaleve të tyre private ta rishkruajnë historinë. Kjo duhet harruar. Duhet ditur se 2006-ta do të jetë tejet e rëndësishme, dhe ky vit do t'i përcaktojë vendimet. Por unë pres që vendimet të merren në 2007-ën, sepse të them sinqerisht, nuk shoh që zbatimi i një zgjidhje të pastërt do të bëhej pa një punë 5 vjeçare. Pra, na mbeten edhe disa vite të mosmarrëveshjeve dhe të bashkëpunimit.

Intervistoi: Vullnet POSHKA