BRUKSEL

Komisioneri për Energji i Bashkimit Evropian, Andris Piebalgs, e ka mirëpritur marrëveshjen e arritur ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës për çmimin e gazit natyror.
"Jemi shumë të kënaqur me arritjen e marrëveshjes. Kjo na jep më shumë besim për takimin e sotëm dhe na gëzon fakti që të dyja palët janë të kënaqura", ka thënë Piebalgs.
Zyrtarët e energjisë të vendeve të Bashkimit Evropian kanë thirrur për sot, në Bruksel, një takim të jashtëzakonshëm me qëllim që të diskutonin për hapat e mëtutjeshëm, pas furnizimit të zvogëluar nga Rusia.
Sot kompania shtetërore ruse, Gazprom dhe ajo ukrainase, Naftogaz, njoftuan se janë marrë vesh rreth çmimit të gazit që Ukraina do të marrë nga Rusia.