Kevin Rudd, kryeministri i Australisë, i tha fjalët e thjeshta të kërkim faljes, të cilat gjenerata të tëra të australianëve të bardhë e kanë patur të vështirë t'i shqiptojnë.
Banorët indigjenë të Australisë pranuan faljen formale të kryeministrit Kevin Rud për vuajtjet që australianët e bardhë ua shkaktuan gjatë më shumë se dy shekujve të vendosjes së evropianëve.
Falja veçanërisht u është drejtuar atyre gjeneratave të aborigjinëve, të cilët, në bazë të politikave qeveritare, forcërisht u morën nga familjet e tyre për t'u asimiluar duke u rritur në mesin e të bardhëve.
Është e vështirë të vlerësohet tragjedia, e cila e pllakosi popullatën aborigjine të Australisë me ardhjen e evropianëve të parë në fund të shekullit XVIII. Njerëzit që lulëzuan në epokën e gurit, me një filozofi të begatë natyrore, pothuaj u asgjësuan nga përndjekjet e pamëshirshme, nga sëmundjet e reja, nga alkoholi, nga aksploatimi seksual dhe më në fund nga neglizhenca.
Kevin Rudd, kryeministri i sapozgjedhur i Australisë, në fjalimin e tij në Parlamentin Federal në Canberra, i tha fjalët e thjeshta, të cilat gjenerata të tëra të australianëve të bardhë e kanë patur të vështirë t'i shqiptojnë.
"Më vjen keq. Në emër të qeverisë së Australisë, më vjen keq. Në emër të parlamentit të Australisë, më vjen keq", tha Rudd.
Kërkim falja e tij veçanërisht u ishte drejtuar "gjeneratave të vjedhura", atyre aborigjinëve të cilët si fëmijë qeveria i largoi nga shtëpitë për t'i rritur te familjet e të bardhëve.
Programi i asmilimit, që zgjati prej vitit 1910 deri në vitet 1970-ta, mund të shihet si mënyrë për zhdukjen e racës dhe kulturës aborigjine, apo si përpjekje e gabuar për t'u dhënë fëmijëve një mundësi më të mirë për jetë.
Rudd bëri thirrje për një fillim të ri të marrëdhënieve ndërmjet australianëve dhe atyre që arritën më vonë.
"Ne reflektojmë mbi keqtrajtimet e tyre në të kaluarën, ne në veçanti reflektojmë për ata që ishin gjenerata të vjedhura, për këtë kapitull të njollosur të historisë sonë kombëtare. Tash ka ardhur koha që kombi ta kthejë një faqe të re, një faqe të re të historisë së Australisë, duke përmirësuar gabimet e së kaluarës, në mënyrë që të ecë përpara me besim në të ardhmen", tha kryeministri Rudd.
Parlamenti Federal votoi për mocionin e kërkim faljes në praninë e udhëheqësve të fiseve aborigjine. Ngjarja u transmetua në tërë vendin, dhe shumë australianë e përjetuan me emocione të veçanta.
Australia tash ka më pak se gjysmë milioni aborigjinë, që përbëjnë 2% të popullsisë. Mesatarja e jetës së tyre është 17 vjet më e ulët se e australianëve tjerë, ndërsa komuniteti i tyre është dërrmuar nga alkoholi dhe abuzimi i drogës, dhuna, papunësia dhe shkalla e lartë e vdekshmërisë së foshnjave.
Kur e mori detyrën në nëntorin e kaluar, kryeministri Rud gjithashtu u zotua për programe të reja për të përmirësuar jetën e aborigjinëve, një pjesë e madhe e të ciëve jetojnë në pjesët e largëta në veri dhe perëndim të vendit.