BANAC:”EMANCIPIMI SHTETËROR I KOSOVËS – I PANDALSHËM”

Ivo BANAC, Universiteti YALE

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Banac, Kosova pritet që së shpejti ta shpallë pavarësinë, disa madje thonë se kjo është çështje javësh. Cilat janë sfidat më të mëdha në këtë drejtim?

IVO BANAC
Unë nuk shoh ndonjë sfidë të veçantë, mendoj se shpallja e pavarësisë së Kosovës thjesht më në fund ka arritur çastin e vet dhe kjo nuk mund të pengohet në asnjë mënyrë. Fuqitë kryesore e mbështesin këtë projekt dhe vetëm njëra, Federata Ruse, është duke e kundërshtuar atë. Ajo do të vazhdojë të bëjë përpjekje ta pengojë atë, por unë mendoj që nuk do të ketë sukses. Kundërshtimi në Serbi ndërkaq, sipas mendimit tim, do të jetë kryesisht simbolik, prandaj edhe nuk do të ketë ndonjë pengesë thelbësore në Evropë kur bëhet fjalë për pavarësinë e Kosovës. Natyrisht, pavarësia e Kosovës ende është në një masë të madhe nën kontrollin e zyrtarëve të ndryshëm ndërkombëtarë, këtë nuk guxojmë ta anashkalojmë. Unë mendoj se për një kohë të gjatë nuk do të dihet se cilët janë efektet e posaçme të këtij procesi, prandaj edhe duhet të presim, sepse natyrisht në këtë kontekst do të ndryshojnë edhe situatat tjera në Evropën Juglindore dhe duhet t’i llogarisim edhe këto ndryshime. Po e përsëris se e gjitha që mund të themi tani për emancipimin shtetëror të Kosovës është se ky proces është i pandalshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se ka mundësi që Serbia të krijojë një krizë të brendshme, duke prishur për shembull koalicionin aktual të qeverisjes, për të shtyrë edhe më shumë shpalljen e pavarësisë?

IVO BANAC
Kjo është e mundshme, ka disa shenja se Tadiç do të përpiqet ta vejë në pikëpyetje autoritetin e qeverisë së Koshtunicës. Dhe një gjë e këtillë mund të nxisë një situatë të cilën e përmendët ju. Por, unë megjithatë nuk mendoj se kjo do të mund të ndryshojë thelbësisht në raport me emancipimin shtetëror dhe pavarësinë e Kosovës. Rreziku i vetëm është ai që gjithëherë ka qenë edhe synimi kryesor i qeverisë aktuale serbe, i cili ka të bëjë jo me pengimin e pavarësisë së Kosovës – sepse edhe ata e dijnë që një gjë e këtillë është e pamundshme – por të bëjnë diçka tjetër, e cila do të ishte po aq problematike, duke e ndarë veriun e Kosovës dhe duke e bashkëngjitur në një formë me Serbinë. Madje, ka edhe disa zyrtarë të jashtëm, në diplomacinë evropiane, të cilët sipas shenjave që unë kam, e mbeshtësin një proces të këtillë. Por, kjo do të ishte një rrugë e rrëshqitshme drejt zgjidhjes së problemeve në Evropën Juglindore. Do të kishte pasoja të mëdha negative, jo vetëm për Kosovën, por edhe për një sërë rajonesh tjera në Ballkan.

RADIO EVROPA E LIRË
Në fund të vitit të kaluar, Bashkimi Evropian dukej i bashkuar në raport me Kosovë, por aktualisht disa vende anëtare ende janë në hamendje. Si e shihni ju Bashkimin Evropian përballë procesit në Kosovë?

IVO BANAC
Bashkimi Evropian është një formacion i cili asnjëherë nuk e definon deri në fund një qëndrim të vetëm të politikës së jashtme apo edhe të politikës së brendshme. Ky është një nga problemet e Bashkimit Evropian, i cili është ende një krijesë konfederale dhe nuk është federatë e vërtetë, e cila do të mund të kishte një zë të vetëm. Ajo çfarë ka ndodhur pas fitores së Tadiçit në zgjedhje, është se ata që kanë dyshuar në prospektin e pavarësisë së Kosoëvs, do ta grabisin këtë fije kashte – nuk do të ketë shumë të atillë, por megjithatë do të ketë – dhe në këtë bazë do të pohojnë se procesi i demokratizimit në Ballkan fiton më shumë me fitoren e Tadiçit për të vendosur një sistem të fuqishëm demokratik në Serbi, gjë të cilën pavarësia e Kosovës gjoja do ta pengonte. Këto janë pikëpamje të qarqeve të caktuara, të cilët mund t’i njohim sepse i njohim që moti, dhe ata do ta mbajnë këtë qëndrim për një kohë të caktuar. Por, në finale, kjo çështje nuk mund të shtyhet më. Mbi të gjitha për faktin se nuk shoh asnjë ndryshim në qëndrimin amerikan, i cili qëndrim në këtë rast është kryesor dhe vendimtar.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë, Moska është intenzivisht e angazhuar në kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës. Cilat janë interesat reale të Rusisë në Ballkan?

IVO BANAC
Rusia e shfrytëzon Ballkanin për ta goditur Perëndimin pas shpine, posaçërisht Shtetet e Bashkuara. Nuk janë në pyetje interesat që do të ishin kulturore, qytetëruese apo që në një mënyrë do të ishin të ndërlidhura me trashëgiminë e afërt historike me vendet ballkanike. Këtu në rradhë të parë bëhet fjalë për mbrojtjen e prestigjit të Moskës, të cilin Putin natyrisht dëshiron ta kompenzojë nëpërmjet një politike të mbifuqishme atje ku ai mendon se ka gjasë t’i bëjë dëm Perëndimit. Prandaj, duhet qenë shumë i fuqishëm në përgjigjen ndaj Rusisë dhe ndaj të gjithë atyre faktorëve në Ballkan të cilën luajnë lojën e Rusisë. Dhe të tillë ka, jo vetëm në Serbi, por edhe vendet tjera. Kjo për faktin se paraja ruse, investimet ruse dhe ndikimi rus sjellë padyshim dobi për strukturat e ndryshme të pareformuara në këtë pjesë të botës, të cilat thjesht duan të kenë një lloj sistemi tregtie, por jo në kornizat e një demokracie liberale. Dhe këtu e sheh Putini rrugëdaljen edhe për Rusinë, por edhe për ato pjesë të botës ku ai mendon se mundet ta imponojë pushtetin e vet.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se Perëndimi i ka keqinterpretuar në vazhdimësi synimet reale të Rusisë në Ballkan?

IVO BANAC
Unë mendoj se për një kohë të gjatë ka qenë pikërisht kështu siç thoni ju, por kësaj tashmë i ka ardhur fundi. Gjithnjë e më shumë tash dihet për atë çfarë Rusia e Putinit po bën në Ballkan dhe jo vetëm në Ballkan, por edhe në vendet tjera të ndikimit rus. Dhe pikërisht në Ballkan do të tërhiqet ajo vija deri ku ndikimi rus mund të operojë. Natyrisht, këtë nuk mund ta bëjë vetëm Perëndimi, këtë duhet ta bëjnë edhe strukturat me orientim demokratik në vendet e Evropës Juglindore. Prandaj është e rëndësishme të zhvillohet edhe një diskutim mbi rëndësinë e ndikimit rus, më saktësisht mbi atë se ku munden këto vende ta sforcojnë ardhmërinë e tyre demokratike. Unë mendoj se me këtë Rusi dhe me këta udhëheqës, nuk ka asnjë mundësi që ata të jenë një mbështetje për procesin demokratik.

INTERVISTOI ARBANA VIDISHIQI