DEPUTETËT THONË SE KOSOVA KRIJON IMAZHIN E SHTETIT NGA DITA E PARË E SHPALLJES

Zijadin Gashi

Institucionet e Kosovës në koordinim edhe me partitë opozitare janë duke i bërë përgatitjet, sipas tyre të fundit, për deklarimin e pavarësisë së Kosovës. Paralelisht me përgatitjet për nxjerrjen e aktit të pavarësisë së Kosovës, në Prishtinë po përgatiten dhe aktet tjera, si kushtetuta dhe simbolet shtetërore. Ndërkohë që është formuar edhe Grupi i përbashkët për zbatimin e pakos së Ahtisaarit, përkatësisht miratimin e ligjeve nga ky dokument. Sidoqoftë, përgatitjet për deklarimin e aktit të pavarësisë, mbeten me prioritet të veçantë. Deputetët kosovarë thonë se dita e pavarësisë sa paraqet një datë historike, atë duhet nënkuptuar dhe si përgjegjësi të madhe që merr Kosova si shtet i ri. Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri thotë se Qeveria, Kuvendi si edhe pushteti lokal duhet t’i bëjnë testet e para qysh tash, në mënyrë që dita e pavarësisë dhe ajo periudhë në përgjithësi të dëshmojë se Kosova është e gatshme të funksionojë si shtet.
“Ashtu si po quhet deklaratë e koordinuar, ashtu do të duhet që edhe jeta në Kosovë ato ditët e shpalljes së deklaratës së pavarësisë, të jetë e koordinuar. Pashmangshëm do të ndodhë që rrugët e Kosovës atë ditë të mbushen me njerëz e me gëzim në njërën anë, por kujdesi ndaj të gjithë qytetarëve të Kosovës është prioritet në këtë rrafsh. Menaxhimi i gjendjes së pas statusit në orën e parë, ditën e parë, javët dhe muajt e parë është kritik për të ardhmen, imazhin dhe integrimin e Kosovës në familjen e shteteve sovrane”, thotë Haziri.
Edhe opozita në parlamentin e Kosovës ka një rol aktiv kur është në pyetje statusi i Kosovës. Opozita ka qenë dhe mbetet pjesë e grupeve punuese për kushtetutën dhe simbolet shtetërore. Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi thotë se kjo parti politike inkurajon institucionet që akti i nxjerrjes së deklaratës së pavarësisë të përfundojë në afatin sa më të shpejtë të mundshëm.
“Qëndrimi i AAK-së është se pavarësia duhet të shpallet në afatin sa më të shpejtë, meqë kemi një harmonizim të qëndrimit të bashkësisë ndërkombëtare dhe njëkohësisht një deklarim të qeverive të fuqive vendimmarrëse se janë të gatshme ta përkrahin pavarësinë e Kosovës. Obligimi ynë tani si deputetë në parlament është që të realizojmë aspiratat e popullit tonë për pavarësinë e vendit”, thekson Isufi.
Ndërsa në vazhdimësi flitet se pavarësia e Kosovës është një çështje ditësh, drafti i deklaratës së pavarësisë të cilën e kanë shqyrtuar tashmë udhëheqësit e institucioneve ende nuk i është proceduar edhe opozitës. Liderët kosovarë patën paralajmëruar se deklarata e pavarësisë do të jetë një akt që do të hartohet edhe nga opozita, dhe për këtë deputeti Ahmet Isufi thotë se po presin ftesën e institucioneve që pas shqyrtimit të përbashkët, ta procedojnë këtë deklaratë së bashku për miratim në Parlament në ditën e shpalljes.
“Ende nuk është mbajtur takimi me partitë opozitare për të pasur një deklaratë të përbashkët ku do të pajtoheshin subjektet politike për ta nxjerrë në Parlamentin e Kosovës, por po presim që këtë ta bëjmë sa më shpejt’, tha Isufi.
Një prej shqetësimeve të institucioneve kosovare është dhe menaxhimi me gjendjen e sigurisë sidomos në relacionet ndër-etnike gjatë fazës së shpalljes së pavarësisë. Deputeti Lutfi Haziri thotë se institucionet dhe popullata shumicë duhet të dëshmojnë se shteti i Kosovës është në të mirë edhe të serbëve të Kosovës dhe perspektivës së tyre që të jetojnë në këtë vend.
“Ajo që në këtë fazë është shumë e rëndësishme, është që komuniteti serb i cili në vazhdimësi është përcjellë me frikën e deklaratës së pavarësisë dhe të qenit qytetar i Kosovës së pavarur, duhet ta largojmë ta eliminojnë. Ata duhet të kalojnë nën mbrojtjen e fqinjëve të vet, nën mbrojtje të lagjeve dhe të qyteteve të tyre, në radhë të parë, por edhe shteti duhet të ketë kujdes në mënyrë që të mos lejojë të ndodhë diçka që në Kosovë është dhe po përcillet nga miqtë tanë, nga shtetet partnere të Kosovës, por po përcillet po ashtu me frikë që është kërcënim serioz”, thotë Haziri.
Sidoqoftë, deputetët kosovarë, si edhe lidershipi i këtushëm, besojnë se pas sinjaleve, sipas tyre pozitive nga Uashingtoni, tani edhe Bashkimi Evropian do të jetë i gatshëm për hapat tjerë në koordinim me kosovarët që deklarata e pavarësisë së Kosovës të jetë vetëm çështje ditësh. Po ashtu, liderët kosovarë kanë besim se shteti i ri i Kosovës do të njihet shumë shpejt nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe numri më i madh i vendeve më me ndikim në Evropë.