BRDO/SLLOVENI

Në Brdo afër Kranjit të Sllovenisë mbrëmë vonë ka përfunduar takimi i kryesueses së Bashkimit Evropian Sllovenisë dhe ministrave të Jashtëm të vendeve evropiane anëtare të Grupit të Kontaktit kushtuar Kosovës. Takimi është mbajtur me dyer të mbyllura, ndërsa pas përfundimit nuk është lëshuar kumtesë për opinionin siç ishte paralajmëruar. Në këtë takim pos mikëpritësit, ministrit të Jashtëm slloven, Dimitrij Rupel. kanë marrë pjesë edhe ministrat e Jashtëm të Britanisë së Madhe Miliband, të Gjermanisë Shtajnmajer, të Francës Kushner dhe të Italisë D'Alema.