NË KRYESINË E KUVENDIT ENDE S’KA INICIATIVA PËR SHPALLJEN E PAVARËSISË

Albana Isufi

Asnjë iniciativë apo kërkesë për hartimin e deklaratës së pavarësisë nuk është dërguar ende në Kryesinë e Kuvendit, përderisa ky organ ka mbajtur sot mbledhjen e parë për të diskutuar për funksionalizimin e Kuvendit të ri. Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, i cili një ditë më parë ka thënë se çështjet procedurale për shpalljen e pavarësisë do të kryhen shpejt dhe me përgjegjësi, ka thënë sot se këto çështje nuk janë diskutuar fare në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit. “Sot jemi marrë vetëm me funksionalizimin e Parlamentit të Kosovës dhe kjo çështje (deklarata për pavarësi) do të jetë në konsolidim me institucionet tjera. Do të thotë, nuk ishte trajtim i kësaj mbledhjeje”, tha Krasniqi. Në anën tjetër, anëtari i Kryesisë së Kuvendit nga blloku opozitar, kreu i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Daci, është optimist se një iniciativë për shpalljen e pavarësisë do të arrijë shpejt në kryesi, takimi i radhës i së cilës do të jetë të premten. “Unë jam i bindur që shpejt, nuk po them shumë shpejt, se jemi lodhur me atë ‘shumë shpejt’, do të vijë në rend dite, sepse po hyjmë në muajt vendimtarë të finalizimit të krejt asaj pune që kanë bërë shumë gjenerata dhe që është kryer për këto vite në liri, prandaj nuk kemi kohë për të humbur”, u shpreh Daci. Ndryshe, ish-kryetari i Kuvendit thotë se hartimi i deklaratës së pavarësisë duhet të bëhet në koordinim me faktorin ndërkombëtar, përderisa kalimi i kësaj nëpër procedurat parlamentare nuk do të marrë shumë kohë. “Unë besoj se po të varej nga ne, krejt kjo mund të kryhet për dy javë, sepse besoj se do të duhet të jetë Kushtetuta më parë, sigurisht simbolet e këto. Por, nuk e besoj se varet vetëm nga vullneti i Kosovës. Është një deklaratë mbi pavarësinë, deklaratë e koordinuar me SHBA-të dhe BE-në. Kësaj radhe jam i bindur se nuk do të zgjasë shumë”, tha Daci. Përbërja e re e legjislativit ka përpara edhe shumë detyra në nxjerrjen e ligjeve shtet-formuese, por edhe të vetë Kushtetutës së re të Kosovës. Po ashtu, duhet të finalizohet edhe çështja e simboleve, e nisur nga Kuvendi i mëparshëm. Kryeparlamentari Krasniqi tha sot se për nxjerrjen e simboleve të reja të Kosovës do të krijohet një komision, që nuk do t’i përfshijë vetëm ligjvënësit. “Edhe ky komision do të bëhet në konsolidim me kryeministrin e Kosovës, me presidentin e Kosovës, natyrisht edhe me grupet parlamentare. Do të thotë, do të përpiqemi që ky komision ta kalojë përbërjen e Kuvendit, të ketë një përbërje edhe ndërkombëtare, por edhe civile, sidomos të ekspertëve që kanë njohuri për simbolet”, theksoi Krasniqi. Por, çështja nëse simbolet do të bëhen para apo pas pavarësisë, për kreun e Kuvendit nuk ka ndonjë rëndësi, meqë, sipas tij, e rëndësishme është që së pari të bëhet pavarësia.