HASHIM THAÇI MERR ZYRTARISHT DETYRËN E KRYEMINISTRIT

Albana Isufi

Hashim Thaçi mori sot solemnisht detyrën e kryeministrit në një ceremoni të përcjellë nga Garda Ceremoniale e Trupave Mbrojtëse të Kosovës. Kryeministri Thaçi, ka shprehur mirënjohjen për punën e paraardhësit të tij Agim Çekut, përderisa ka premtuar se do të vazhdojë ato projekte te qeverisë Çeku, për të cilat mendon se janë në të mirë të qytetarëve.
Kryeministri Thaçi po ashtu ka thënë se do të vazhdojnë angazhimet e përbashkëta për bërjen e Kosovës shtet, si dhe ka premtuar se data e pavarësisë do të bëhet shumë shpejt publike.
“Statusi i Kosovës nuk është pronë e qeverisë së Kosovës, është vullnet i të gjithë qytetarëve dhe spektrit politik kosovar dhe vendimet do të jenë unike të të gjithë institucioneve të Kosovës, dhe natyrisht që plani është pavarësia e plotë. Ju të gjithë e dini se puna e pavarësisë është punë e kryer dhe kërkohet vetëm zyrtarizmi i saj. Datën e di Prishtina, Uashingtoni dhe Brukseli dhe shumë shpejt do të bëhet e ditur edhe për opinionin publik”, tha Thaçi.
Ndërkaq, ish- kryeministri Agim Çeku ka thënë se qeveria Thaçi do të ketë një barrë më pak në supe, duke aluduar në zgjidhjen e shpejtë të statusit të Kosovës, e cila do të bëjë që kabineti i ri qeveritar të fokusohet ne problemet e përditshme të qytetarëve.
“Kosova është bërë gati për pavarësi dhe në një situatë të tillë po i dorëzojmë Kosovën, kryeministrit të ri, qeverisë së re. Jemi të vetëdijshëm të gjithë, besoj se edhe kryeministri është i vetëdijshëm se na presin sfida të mëdha në përballimin e sfidave që kanë të bëjnë me shtetësinë e Kosovës. Qeveria që po e merr detyrën sot do ta ketë një barrë më pak. Shpresojmë të gjithë se shumë shpejt nga agjenda e qeverisë do të hiqet statusi kah i cili i kemi fokusuar të gjitha energjitë që i kemi dhe shpresojmë se të gjitha energjitë e qeverisë do të shpenzohen tani në përmbushjen e detyrimeve, që janë dhënë edhe gjatë fushatës elektorale edhe dje në ekspozeun e kryeministrit”, tha Çeku.
Ndryshe, takimin e parë zyrtar kryeministri Thaçi e ka zhvilluar me gjeneralët ushtarakë të NATO-s. Komandanti i krahut jugor të NATO-s admirali Mark Fitzgerald ka përgëzuar z. Thaçi për detyrën e re, përderisa ka siguruar se NATO do të mbetet e përkushtuar për të ruajtur sigurinë dhe integritetin territorial të Kosovës.
“Nga ana jonë, NATO vazhdon të ofrojë një ambient të sigurt dhe të qetë, dhe ne presim që të bashkëpunojmë ngushtë me qeverinë e re që ta sigurojmë të ardhmen”, tha admirali Fitzgerald.
Në anën tjetër, kryeministri Thaçi është shprehur i bindur se integriteti territorial i Kosovës do të ruhet edhe pas shpalljes së pavarësisë, si dhe do të bëhet shtrirja e pushtetit në të gjithë vendin, pra edhe në rajonet e banuara me shumicë serbe, ku funksionojnë strukturat paralele të qeverisë serbe. Kryeministri Thaçi, ka thënë se kjo do të arrihet, meqë qeveria do të ketë një qëndrim afrues më të gjithë qytetarët. Kryeministri i ri, këtë qëndrim e ka shfaqur edhe në seancën e djeshme pas betimit si kryeministër, ku i është drejtuar në gjuhën serbe komunitetit serb, duke u thënë se Kosova është vend i tyre dhe duhet ta shohin si atdhe të tyre.