ISUFI:”SA MË PARË TË SHPALLET PAVARËSIA”

Ahmet ISUFI, nënkryetar i AAK-së

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Isufi, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës si e vlerëson punën e institucioneve të Kosovës në vitin që po e lëmë pas?

AHMET ISUFI
Konsiderojmë se institucionet e Kosovës në këtë periudhë kanë funksionuar mirë, në kuptimin e mbajtjes së gjendjes së tanishme. Ato që mund të janë dobësitë që i kanë përcjellë institucionet, janë mosrealizimi i aspiratës së popullit tonë për pavarësi, që ndoshta është dashur të bëhet një punë më e madhe. Ne e kemi përkrahur punën e institucioneve, në këtë rast të Qeverisë, të Parlamentit, të Ekipit të Unitetit dhe ka pasur një unifikim të qëndrimeve sa i përket angazhimit për investim në realizimin e qëllimit tonë. Por, megjithatë, nuk është arritur, sepse nuk ka pasur një harmonizim të mjaftueshëm të bashkësisë ndërkombëtare rreth pozicionit të Kosovës. Në këtë kohë mund të jemi të kënaqur, sepse gjendja është mbajtur, njerëzit kanë punuar dhe institucionet kanë qenë funksionale. Megjithatë, pakënaqësia është ajo se nuk është arritur qëllimi final.

RADIO EVROPA E LIRË
Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë filluar bisedimet për formimin e koalicionit qeverisës. Si e shihni ju rolin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës?

AHMET ISUFI
Ne në hapin e parë pas shpalljes së rezultateve kemi ofruar gatishmërinë tonë për të investuar në krijimin e institucioneve të Kosovës, sepse konsiderojmë se Kosova ka nevojë për një qasje të të gjitha subjekteve politike drejt pavarësimit të Kosovës dhe drejt krijimit të shtetit. Në angazhimet që i kemi pasur rreth bisedimeve në parim jemi pajtuar me të gjitha ato që kanë qenë angazhime të tjerave parti politike, për të qenë në një qeverisje, ndërsa tani janë zhvilluar më shumë bisedat me LDK-në dhe PDK-në, si dy partitë më të mëdha. Në këtë rast, meqë PDK-ja ka marrë shumicën e votave, asaj i ka takuar iniciativa. AAK-ja ofrohet në shërbim të institucioneve të Kosovës, për arsye se e konsiderojmë momentin shumë të rëndësishëm për të pasur një qeverisje efikase, stabile dhe gjithëpërfshirëse, sepse mendojmë se uniteti përbrenda Qeverisë, përbrenda Parlamentit, përbrenda institucioneve të Kosovës, do të jetë më domethënës për qytetarët e Kosovës. Dhe, konsideroj se nëse bëhet një qeverisje me bazë të gjerë, atëherë nuk ka nevojë për grupe artificiale, siç ka qenë Grupi i Unitetit, i krijuar pa ndonjë bazë ligjore. Duke konsideruar se institucionet e Kosovës do ta bartin përgjegjësinë për vendin sa i përket realizimit të pavarësisë së Kosovës, ne mendojmë se aktivizimi ynë në Qeverinë e Kosovës është i dobishëm. Roli i Aleancës do të varet nga zhvillimet e bisedimeve që do të bëhen gjatë kësaj periudhe. Nëse jemi në pozitë, do të punojmë shumë që institucionet e Kosovës të jenë të fuqishme dhe të dalin në nivelin që ne e kërkojmë, në realizimin e vullnetit politik të popullit të Kosovës me pavarësi, dhe po ashtu do të jemi të angazhuar edhe në segmente të tjera për një jetë më të mirë për qytetarët e Kosovës. Nëse jemi në opozitë, atëherë po ashtu do të jemi shumë aktivë, në mënyrë që të përcjellim zbatimin e programit qeveritar dhe po ashtu do të jemi kritikë në ato që do të jenë dobësi, që do të barten gjatë këtij procesi. Në të dy rastet, AAK-ja është shumë e përgatitur që të jetë forcë politike, e cila ka për synim krijimin e shtetit të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
AAK-ja, kur mendon se duhet të ndërmerren hapa konkretë për shpalljen e pavarësisë?

AHMET ISUFI
Ne kemi thënë gjatë kohës së zgjedhjeve dhe para zgjedhjeve, se çështje kapitale për ne është pavarësia e Kosovës dhe krijimi shtetit. Do të jemi shumë aktivë tani në Parlament, që sa më parë të shpallet pavarësia e Kosovës dhe të kërkohet njohja ndërkombëtare e saj, sepse në këtë moment kemi një unifikim më të madh të qëndrimit të bashkësisë ndërkombëtare, sidomos të Bashkimit Evropian. Prandaj, si politikë e Kosovës duhet të orientohemi që ta realizojmë në këtë moment, sepse rrezikojmë që nëse prolongohet procesi, të konsiderohet një akomodim i krizës dhe po ashtu do të konsiderohet se bën edhe një status-quo, që në fakt na ka dëmtuar edhe këto vite. Ne është dashur shumë më herët ta kemi shpalljen e pavarësisë, hapat që kanë bërë që Kosova të jetë vend i pranuar ndërkombëtarisht. Por, konsideroj se në ndonjë moment te ne ka ekzistuar një neglizhencë ose një papërgatitje e duhur, për të marrë hapa vendimtarë. Ky Parlament i Kosovës, që ka dalë nga zgjedhjet e 17 nëntorit, në rastin e parë sa më të shpejtë do ta bëjë shpalljen e pavarësisë së Kosovës, sepse janë pjekur kushtet që të kemi një shtet, i cili do të pranohet, sepse kemi edhe pakon e Ahtisaarit, e cila është ende në tavolinë dhe mund ta zbatojmë atë qoftë përmes ligjeve që do të dalin nga Parlamenti i Kosovës, qoftë nga obligimet që janë të shtruara për ne që t’i zgjidhim në të ardhmen.

RADIO EVROPA E LIRË
Kuvendi i Serbisë miratoi rezolutën kundër pavarësisë së Kosovës. Si do të reflektohet ky veprim në procesin e përcaktimit të statusit final të Kosovës?

AHMET ISUFI
Aprovimi i një rezolute në Kuvendin e Serbisë është në vargun e përpjekjeve të Serbisë, për t’i zbutur problemet e brendshme që i ka Serbia. Domethënë, marrja me Kosovën është temë ditore, për arsye se nga kriza që kanë përbrenda, duhet ta qesin topin në anën tjetër. Kosova ‘de facto’ është e larguar që moti nga Serbia, nuk ka të bëjë asgjë me Serbinë. Edhe ky akt i Parlamentit të Serbisë është vetëm një fije drite në humnerë, sepse absolutisht asgjë nuk e lidh më Kosovën me Serbinë, përveçse një shtet fqinj, që janë të detyruar të pajtohen, që një ditë të jetojnë si fqinj të mirë.

INTERVISTOI: ARTON KONUSHEVCI