PENSIONISTËT NË PRITJE TË PËRMIRËSIMIT TË POZITËS SË TYRE

Nadie Ahmeti

Pensionistët kosovarë shpresojnë se në vitin e ardhshëm dhe me formimin e qeverisë së re, do të përmirësohet gjendja e tyre socio-ekonomike, ndërkaq zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës thonë se përpjekjet për përmirësimin e pozitës së pensionistëve në mandatin e tyre qeverisës, nuk do të mungojnë. Përfaqësues të Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës thonë se edhe ky vit, sikur tetë vjetët e kaluar, për pensionistët kosovarë ka qenë i mbushur me probleme dhe vështirësi për të mbijetuar. Shaban Kajtazi, sekretar i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, thotë se gjendja e pensionistëve kosovarë, që nëntë vjet me radhë, ka mbetur e pazgjidhur. “Gjendja e pensionistëve kosovarë është ende e pazgjidhur. Ata që nëntë vjet nuk i marrin pensionet e tyre. Kohëve të fundit, qeveria ka bërë një rritje në 75 euro, por nuk e ka bërë për të gjithë pensionistët, por vetëm për ata që kanë 15 vjet përvojë pune dhe 65 vjet vjetërsi. Kanë mbetur kategoritë e pensionistëve të parakohshëm dhe invalidët e punës pa kurrfarë rritjeje”, shprehet Kajtazi. Ai thotë se zgjidhjen e problemeve të pensionistëve do ta mundësonte vetëm miratimi i Ligjit mbi sigurimin pensional dhe invalidor nga Kuvendi i Kosovës. Është ky ligj, që, sipas tij, katër herë ka kaluar në qeveri dhe katër herë është kthyer nga qeveria nën ndikimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe disa ekspertëve të huaj, që kanë vërejtje në atë ligj, përderisa, shton Kajtazi, ky ligj për pensionistët kosovarë është shumë i përshtatshëm në rrethanat e Kosovës. “Ligji pasi ka dalë katër herë në qeveri, të dalë edhe në qeverinë që do të zgjidhet. Dhe, njëherë e përgjithmonë, të zgjidhet pozita e pensionistëve të Kosovës, si rast unik në tërë Evropën, që u shkelen të drejtat në mënyrë flagrante. Ligji parasheh zgjidhjen e pozitës se tyre adekuate dhe lartësinë e ekonomisë së Kosovës. Do ta fitojnë statusin e tyre dhe do të jenë të kënaqur nëse miratohet ligji”, thotë Kajtazi. Në anën tjetër, zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës, e cila pritet ta formojë qeverinë e re, pohojnë se në mandatin e tyre qeverisës do të mundohen që të gjejnë alternativa, që ta përmirësojnë pozitën e pensionistëve kosovarë. Rifat Blaku, nga kjo parti, pohon se një ndër prioritetet e kësaj partie do të jetë përmirësimi i gjendjes së kësaj kategorie të shoqërisë. “Jam i sigurt se me krijimin e qeverisë së re dhe me ndryshime strukturale që do të bëhen, pavarësisht buxhetit të limituar, do të gjenden mjete financiare për përmirësimin sadopak të pozitës së mbi 100 mijë pensionistëve të Kosovës”, thekson Blaku. Me gjithë kufizimet e buxhetit të konsoliduar të Kosovës, Blaku pohon se kjo parti do të mundohet të gjejë fonde shtesë, në mënyrë që pensionistët kosovarë ta kenë statusin e merituar. “ Kurrë nuk mbyllen të gjitha dyert, por duhet bërë diçka të veçantë për këtë kategori njerëzish. Përkundër vështirësive ekonomike, sociale dhe financiare, unë mendoj se kjo është kategoria më e prekur, e cila duhet të ketë, dhe faktikisht do të ketë, prioritet në përpjekjet e qeverisë së ardhshme”, thotë Blaku. Ndryshe, në fund të muajit tetor, Qeveria aktuale e Kosovës ka ndarë 16 milionë euro për pensionistët e Kosovës, me çka 35 mijë pensionistë që kanë kontribuar në sistemin e vjetër pensional, nga 1 janari do të kenë pension prej 75 eurosh, ndërkaq kategoritë tjera do të vazhdojnë të marrin nga 40 euro në muaj.