ANALISTËT: MBLEDHJA E KS-SË TREGOI PËRFORCIMIN E POZICIONIT EVROPIAN PËR KOSOVËN

Bekim Bislimi

Mbledhja e fundit e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila u mbajt dje, e ka treguar përforcimin e pozicionit evropian për Kosovën, vlerësojnë analistët kosovarë. Analisti Shkëlzen Maliqi thekson se pavarësisht që në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara nuk është marrë ndonjë vendim i prerë për ndonjë rezolutë të re, megjithatë është e rëndësishme se aty u paraqit qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, se nuk do të ketë bisedime tjera në mes Prishtinës dhe Beogradit dhe se procesi duhet të shkojë përpara. “Mendoj se kjo mbledhje ishte shumë e rëndësishme, sepse aty u paraqit qëndrimi i Bashkimit Evropian dhe i Shteteve të Bashkuara, se procesi duhet të shkojë përpara. Këto pesë shtetet e mëdha i kanë trupat këtu, do të thotë, janë boshti i NATO-s dhe ato mund të vazhdojnë të veprojnë edhe politikisht, ta dërgojnë misionin. Rusia nuk mund ta pengojë, të them ashtu, dërgimin e misionit të ri, por, megjithatë, një element mbetet negativ, se Rezoluta 1244 mbetet në fuqi”, tha Maliqi. Vlerësim pozitiv për qëndrimin e vendeve të Bashkimit Evropian në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Sigurimit, jep edhe analisti Lulzim Peci. “Mendoj se ky është një përparim i madh, në tërësi i Bashkimit Evropian, që edhe e rrit kredibilitetin e tij për misionin e ardhshëm në Kosovë, që do ta vendosë. Ndërsa, për sa i përket anës tjetër, loja ruse, se do të dalë me një propozim të ri, ka karakter të dyfishtë, në bazë të mendimit tim. E para është se do të shikojë që ta sfidojë edhe një herë perëndimin, ndërsa, arsyeja e dytë është që të përfitojë sa më tepër prej kësaj situate, duke u munduar që ta shtyjë statusin e Kosovës në një anë dhe në anën tjetër, që të përfitojë në territoret, të cilat janë në kufi me Rusinë, çfarë janë ato në Gjeorgji apo në Moldavi”, ka thënë Peci. Ndërkaq, analisti Maliqi thotë se në deklaratën e ambasadorit rus në Kombet e Bashkuara, Vitalji Curkin, kishte elemente interesante, por duhet pritur që të shpaloset propozimi rus, të cilin ai e ka paralajmëruar. “Mund të ndodhë që Rusia ndoshta i ka zbutur deri diku qëndrimet e veta, për shkak se vendimi i fundit i Bashkimit Evropian që ta përkrahë planin e Ahtisaarit, ta dërgojë misionin këtu, pa marrë parasysh se a do ta përkrahë këtë Këshilli i Sigurimit, në të vërtetë i ka lëvizur shumë proceset. Megjithatë, tash jemi në një kthesë shumë të madhe historike, por mendoj se vetë realizimi i pavarësisë do të jetë, në njëfarë dore, proces. Ndoshta duhen edhe disa muaj që kjo të instalohet në plotësi. Ka disa pengesa në këtë rrugë, por besoj se edhe ato do të kalohen me mënyra diplomatike”, u shpreh Maliqi. Ndërsa analisti Peci pohon mundësinë se në të ardhmen e afërt, vendet perëndimore do të përpiqen edhe një herë që të arrihet një zgjidhje përmes Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. “Unë mendoj se e tërë kjo përpjekje do të bëhet për ta dhënë shansin e fundit, që procesi të kalojë përmes Kombeve të Bashkuara. Por, paralajmërimi rus se do të dalë me një propozim të ri, praktikisht është me një kundërpropozim, po tregon se Këshilli i Sigurimit nuk ka shpresë që ta bëjë këtë punë. Kështu që unë besoj se pas kësaj do të pasojë shpallja e pavarësisë së Kosovës, jo menjëherë, dhe pastaj vendosja e misionit të Bashkimit Evropian”, tha Peci. Sidoqoftë, analistët pohojnë se shpallja e pavarësisë nga Kuvendi i Kosovës nuk do të ndodhë para muajit shkurt të vitit të ardhshëm. Pas kësaj, sipas tyre, do të fillojë procedura e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga vendet që do ta mbështesin këtë dhe përfundimi i këtij procesi parashihet të bëhet në fundin e gjysmës së parë të vitit të ardhshëm, kur edhe përfundojnë tre muajt e fazës së tranzicionit.