JAGODINA

Ish kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi deklaroi se Kuvendi i Kosovës do shpallë pavarësinë, ndërsa veriu i Kosovës do të ketë autonomi të gjerë brenda Kosovës së pavarur.
"Mund të presim më së shumti dy ose tre muaj, dhe pastaj nëse Rusia i vë veto ndaj planit të Ahtisaarit, siç edhe pritet, Kuvendi i Kosovës do të shpallë pavarësinë", ka thënë nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës në një intervistë për televizionin serb Palma Plus.
Sipas Rexhepit, sapo Kuvendi i Kosovës të shpallë pavarësinë, Shtetet e Bashkuara dhe disa vende anëtare të Bashkimit Evropian do ta njohin Kosovën e pavarur.
"Jemi të vetëdijshëm se problem do të jetë integrimi i veriut të Kosovës në sistemin kosovar, andaj oferta jonë për njerëzit që jetojnë në veri të Ibrit do të jetë autonomia substanciale brenda Kosovës së pavarur", ka thënë Bajram Rexhepi.