AHTISAARI:”PROPOZIMI PËR STATUSIN-MARRËVESHJE KOMPROMISI”

Zijadin Gashi

Prishtina zyrtare e ka mirëpritur pakon e Ahtisaarit, si propozim për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Gjatë një takimi që Ekipi Negociues zhvilloi sot në Prishtinë me presidentin Ahtisaari, palës kosovare i është dorëzuar plani për zgjidhjen e statusit dhe kalendari deri në përmbylljen finale të këtij procesi. Ndërsa Ekipi Negociues, si një trup që përfaqëson unitetin politik në Kosovë e ka cilësuar pakon e Ahtisaarit si një bazë të shtetësisë dhe sovranitetit të Kosovës, presidenti Ahtisaari tha se propozimi i tij është një zgjidhje kompromisi që është ofruar pas një viti negociatash midis Prishtinës e Beogradit. Ahtisaari tha se propozimi i tij nuk është final dhe se vendimi definitiv për statusin do të merret në Këshillin e Sigurimit.
“Pas konsultimeve intensive vitin e kaluar, propozimi i sotëm të cilin ua kam propozuar të dyja palëve paraqet propozim kompromisi”, tha Ahtisaari. Ai vlerësoi se tash po fillon një epokë e re, por e pranoi se të flasësh për krijimin e një Kosove shumë-etnike, duhet një kohë shumë e gjatë. Ahtisaari tha se muaji shkurt do t’u shërbejë Prishtinës e Beogradit që t’i parashtrojnë komentet e sugjerimet e tyre. Ndërkohë, ai tha se do të thërrasë edhe një takim të nivelit të lartë Prishtinë-Beograd, më 13 shkurt në Vjenë, para se të hartojë dokumentin e tij final, të cilin do t’ia drejtojë Këshillit të Sigurimit. “Do të isha shumë i kënaqur që ta kisha propozimin tim final për Këshillin e Sigurimit para fundit të muajit mars”, tha Ahtisaari. Marrëveshja, edhe pse nuk e përmend fjalën “pavarësi”, sipas të gjithë bashkëbiseduesve të tij të sotëm në Prishtinë, paraqet bazën për pavarësinë e Kosovës. Po ashtu, dokumenti paraqet dispozita të posaçme për mbrojtjen e komuniteteve joshqiptare nëpërmjet institucioneve dhe krijimin e komunave të banuara me shumicë serbe. Mirëpo, pavarësisht propozimeve që do të vijnë nga Prishtina apo Beogradi, drafti final, sipas tij, në asnjë formë nuk do të parashohë si opsion ndarjen e Kosovës.
Në anën tjetër, Ekipi Negociues e ka mirëpritur pakon e Ahtisaarit. Kjo të paktën është kuptuar në deklarimet e para të pesë anëtarëve të Ekipit Negociues, menjëherë pas takimit me emisarin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu tha se Ekipi Negociues ka dalë me një deklaratë të përbashkët, e cila në fakt pasqyron qëndrimin unik të pozitës e opozitës lidhur me propozimin e Ahtisaarit. “Kosova do ta ketë sovranitetin e vet si çdo shtet tjetër, natyrisht në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në mekanizmat ndërkombëtarë deri në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Për një kohë, në këtë proces të ecjes së Kosovës me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, do të kemi dhe një prezencë të lehtë ndërkombëtare në Kosovë dhe të mekanizmave të NATO-s”, tha presidenti Sejdiu.
Ndërkaq, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi tha se nga 2 shkurti, Kosova fillon fazën e re, atë të vënies së bazave të shtetësisë dhe sovranitetit të saj mbi tërë territorin e saj. “Nga sot edhe “de jure” mund të konkludojmë se sovraniteti i Serbisë mbi Kosovën largohet, ruhet dhe garantohet integriteti territorial i Kosovës, Kosova fiton të drejtën që të jetë subjektivitet ndërkombëtar dhe natyrisht nga sot fillon një etapë e re për ndërtimin e shtetit të ardhshëm të Kosovës”, theksoi Hashim Thaçi.
Me një dozë rezervash, është paraqitur me komentet e tij kryeministri Agim Çeku, edhe pse edhe ai shprehu bindjen se dokumenti i Ahtisaarit po i hap rrugën pavarësisë së Kosovës. “Megjithatë ky dokument nuk i përmban të gjitha pritjet tona, kërkesat tona, të gjitha ato që ne na takojnë dhe i kemi kërkuar. Ne do ta shohim atë me syrin kritik gjatë muajit shkurt dhe do t’i japim imputet tona dhe do bëjmë çmos që dokumenti përfundimtar që do t’i drejtohet Këshillit të Sigurimit, të reflektojë vullnetin e popullit të Kosovës”, pohoi Çeku.
Ndërkohë, me komentet e tyre pozitive lidhur me pakon e Ahtisaarit janë paraqitur edhe përfaqësuesit tjerë të Ekipit Negociues. Veton Surroi tha se Prishtinës i është dorëzuar pakoja e pavarësisë, edhe pse kjo fjalë nuk përmendet në dokument. “Në pakon që na e dorëzoi Ahtisaari janë elementet që e ndërtojnë shtetin. Ne e kemi një pako të pavarësisë, por pa emrin e pavarësisë”, u shpreh Surroi.
Gjatë orëve të mbrëmjes, Ahtisaari ka takuar edhe përfaqësuesit e pakicave në Kosovë. Ndërsa përfaqësuesit e pakicave joserbe nuk kanë paraqitur ndonjë vërejtje, liderët e komunitetit serb thanë se nuk kanë me çka të jenë të kënaqur me pakon e Ahtisaarit. Oliver Ivanoviq, tha se pret që pakoja të studiohet me vëmendje dhe t’i dorëzojë Ahtisaarit vërejtjet konkrete. “Me asgjë nuk jam i kënaqur, mendoj se procesi po shpejtohet shumë, ndërkohë që nuk janë krijuar kushtet për diçka të tillë”, tha Ivanoviq, duke besuar se ky dokument ende nuk prezanton asgjë, përderisa nuk e thotë qartë se cili do të jetë statusi i Kosovës.
Ndryshe, vizita e Ahtisaarit në Prishtinë e ka pasuar qëndrimin e tij gjatë paradites në Beograd, ku të njëjtin propozim, që ai solli në Prishtinë, fillimisht ia dorëzoi dhe presidentin serb, Boris Tadiq.