ARMËT NË ÇANTAT E NXËNËSVE

Nadie Ahmeti

Nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në Kosovë, jo rrallë në çantat e tyre bartin edhe armë, kryesisht thika kuzhine, por edhe pistoleta. Në Shërbimin Policor të Kosovës, thonë se një numër i konsiderueshëm i këtyre rasteve janë të evidentuar në këtë shërbim. Violeta Elezaj, zëdhënëse në këtë shërbim, duke treguar rastin e fundit, pohon se për shkak të bartjes së armëve nga fëmijët kanë ndodhur disa lëndime.
“Rasti i fundit ishte dje në gjimnazin “Sami Frashëri”, ku ka ndodhur një therje me thikë, dhe kanë qenë të involvuar si të dyshuar dy nxënës të kësaj shkolle”, tha zonja Elezaj.
Në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, thonë se janë të shqetësuar për këto dukuri që po ndodhin në shkollat kosovare.
Fevzi Berisha, zëvendësministër, pohon se për këtë qëllim është kërkuar një takim me drejtorët komunalë të arsimit.
“Në bazë të ligjit që e kemi për arsimin fillor dhe të mesëm, e drejta për sanksionim të nxënësit i takon drejtorëve komunalë të arsimit. Nuk është çështje e Ministrisë së Arsimit. Por, megjithatë ne do të mbajmë një takim më drejtorët komunalë të arsimit, në mënyrë që t’ua bëjmë me dije që të merren masa, qoftë edhe disciplinore ndaj atyre nxënësve që përdorin dhunën”, tha zoti Berisha.
Halim Hyseni, nga Qendra për Arsim e Kosovës, ndërkaq tha se mbajtja e armëve nga fëmijët nëpër shkolla publike bëhet për shkak të qeverisjes jo të mirë të shkollave.
“Qeverisja dhe udhëheqja, sipas konceptit tim, është klanizuar, ka shumë nepotizëm, njerëz me përzgjedhje negative. Nuk ka shkollë të mirë me udhëheqës të dobët”, tha zoti Halimi.
Mbajtja e armëve nëpër shkolla, për psikologët, është rezultat i pasigurisë që ekziston në një ambient shkollor. Dashamir Bërxulli, profesor në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Prishtinës, thotë se në shumë raste, nxënësit imitojnë edhe aktorë nga filma të ndryshëm, në të cilët temë kryesore paraqitet dhuna.
“Në Kosovë nuk ka ndonjë kontrollë sa i përket DVD, sa i përket tregut të kasetave filmike me përmbajtje me dhunë etj. Tregu në përgjithsi është mbushur me DVD, me teknologji të re, në të cilat vazhdimisht shprehet dhunë. Të rinjtë vazhdimisht shikojnë filma që absolutisht janë të ndaluar për moshën e tyre“, tha psikologu Bërxulli.
Arsye tjetër, psikologu Bërxulli, përmend edhe përqeshjet që bëjnë nxënësit në mes veti. Dhe ky, sipas tij, është segmenti kryesor për të reaguar në një mënyrë agresive, qoftë me përdorimin e armëve apo edhe me përleshje fizike.
“Imagjinoni një personalitet që ende nuk është formuar, dhe i cili nuk ka strategji të duhur se si të futet në grup, ai nuk bëhet pjesë e grupit, dhe përqeshet. Tek ne ndodh shumë përqeshja, sepse fëmijët në familje nuk kanë marrë një edukatë parandaluese ndaj këtyre elementeve. Nuk janë të vetëdijshëm se shkaktojnë një dëm të madh njerëzor, kur përqeshin kolegun e tyre”, thekson Bërxulli.
Ndryshe, zëvendësministri Fevzi Berisha, tha se do të kërkojë nga Shërbimi Policor i Kosovës, që të jetë më i pranishëm në objektet arsimore.
“Do të kërkojmë nga organet kompetente, në mënyrë që të paktën të jenë më vigjilente rreth objekteve arsimore, në mënyrë që mos të përdorët dhuna”, tha zëvendësministri Fevzi Berisha.
Por, psikologu Dashamir Bërxulli, prezencën e pjesëtarëve të Shërbimit Policor të Kosovës, nuk e sheh si një element që eliminon këtë dukuri.
“Policia në shkollë është një gjë që nuk është normale. Ata mund të parandalojnë një armë të caktuar, një incident të caktuar, por si model në tërësi nuk është shumë psikologjikisht i rekomanduar. Duhet të gjenden metoda të tjera që të ketë siguri nëpër shkolla”, tha Bërxulli.
Ai gjithashtu, tërheq vërejtjen se mbajtja e armëve nga fëmijët në shkollat publike, detyron disa prindër që fëmijët e tyre t’i dërgojnë në shkolla private, pavarësisht kushteve të rënda ekonomike.
“Natyrisht se në shkollat private për shkak të traditës, ndoshta vihet në dyshim cilësia e arsimit, por nuk vihet në dyshim teknologjia, ambienti i pastër dhe ambienti i shëndoshë. Sa i përket këtyre elementeve, shkollat publike tek ne, defintivisht janë kthyer në një ambient i cili është jo i lakmuar për prindërit, për të dërguar fëmijët e tyre në këto shkolla”, tha ai.
Por, zëvendësministri i arsimit, Fevzi Berisha, nuk ka frikë se këto probleme do të bëjnë që të humbet besimi në institucionet publike të arsimit.
“Jo, në asnjë mënyrë. Unë konsideroj se sistemi arsimor publik në Kosovë është në nivelin e kënaqshëm. Ekziston mundësia e disa prindërve që t’i shkollojnë fëmijët në arsimin privat; ata kanë mundësi materiale dhe i dërgojnë atje. Nuk është arsyeja e përdorimit të dhunës, por ndoshta gjejnë qetësi atje dhe i dërgojnë në ato institucione”, tha Berisha.
Sidoqoftë, edhe një hulumtim që ka bërë vitin e kaluar Fondi Ndërkombëtar për Fëmijë i Kombeve të Bashkuara, UNICEF, tregon se në shkollat kosovare përdoren lloje të ndryshme të dhunës, duke filluar nga dhuna që përdorin mësimdhënësit ndaj nxënësve, por edhe nxënësit në mes veti.