Hetim ndaj SHIK-ut

Kuvendi i Kosovës

Me nismën e deputetit të AAK-së, Burim Ramadani, në Kuvendin e Kosovës ka nisur debati për formimin e një komisioni hetimor në lidhje me aktivitetet e Shërbimit Informativ të Kosovës të njohur me emrin SHIK. Debati mund të përfundojë me zgjerimin e hetimit parlamentar edhe për shërbime tjera, si Sigurimi i Atdheut, thonë deputetët.


Në Kuvendin e Kosovës është iniciuar tashmë një nismë për hetim parlamentar ndaj Shërbimit Informativ të Kosovës, të njohur si SHIK.

Nisma për këtë hetim parlamentar është ndërmarrë nga deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani. Ai ka thënë se një debat i tillë, mes tjerash, do të identifikonte se kush ka qenë dhe çfarë roli ka pasur SHIK-u.

Mbi të gjithat, Ramadani është shprehur se dëshiron mendimin e Kuvendit nëse SHIK-u ishte një organizatë në interesin e Kosovës apo jo dhe nëse aktiviteti i këtij shërbimi mund të cilësohet si legal.
Kuvendi i Kosovës duhet të marrë një qëndrim ndaj kësaj organizate për të paktën katër fusha.

“Kuvendi i Kosovës duhet të marrë një qëndrim ndaj kësaj organizate për të paktën katër fusha. Fusha e parë ka të bëjë me ligjin, nëse ka qenë SHIK-u legal apo ilegal, duhet të jepet përgjigje e qartë. Fusha e dytë ka të bëjë me financat, burimin e financave dhe përdorimin e tyre”.

“Fusha e tretë ka të bëjë me mandatin, me mekanizmat kontrollues të brendshëm dhe mekanizmat mbikëqyrës institucional të jashtëm. Dhe, fusha e katërt ka të bëjë me klasifikimin e informatave, ruajtjen e tyre, destinimin dhe metodat e mbledhjes së informatave”,
ka thënë Ramadani.

Hetimi, ka nënvizuar Ramadani, nuk nënkupton që Kuvendi të merret me raste të individëve që kanë punuar në SHIK, por me vetë strukturën, funksionimin dhe organizimin e tij.

SHIK-u i njohur si organizatë e afërt sidomos me Partinë Demokratike të Kosovës, kishte shpallur përfundimin e aktiviteteve të veta në qershor të vitit 2008 nga shefi i këtij shërbimi, Kadri Veseli.

Shuarja zyrtare e SHIK-ut ishte parë edhe nga ndërkombëtarët si një kusht i domosdoshëm për t’i lëshuar vendin strukturës së re të inteligjencës së Kosovës në ngritje e sipër, të quajtur Agjencia e Kosovës për Inteligjencë.

Grupi Parlamentar i PDK-së i ka dhënë mbështetje deputetit opozitar, Ramadani, për formimin e komisionit hetimor ndaj SHIK-ut.
PDK


Shefi i grupit të deputetëve të PDK-së, Adem Grabovci, thotë se komisioni duhet të ketë mbështetje të fuqishme në mënyrë që të zbardhen edhe shumë raste të dyshimta, për të cilat është folur në opinion për vite të tëra.

“Mbështesim fuqishëm iniciativën e deputetit, përkatësisht Grupit Parlamentar të AAK-së që të krijohet ky komision, por me kusht që vërtet ky komision të ketë një fushëveprim, të ketë një mbështetje të fuqishme, që këto raste të zbardhen njëherë e përgjithmonë”,
është shprehur Grabovci.

Njëri nga deputetët që më së shumti ka kritikuar veprimtarinë e SHIK-ut është ai i Lëvizjes Vetëvendosje, Florin Krasniqi. Me këtë hetim ai ka thënë se nuk pret mrekulli dhe ndryshime revolucionare.

Por, Krasniqi ka shprehur besim se më pas edhe prokuroria mund të gjejë shtigje për hetimin e disa rasteve që mund të dalin nga hetimi parlamentar.

Ndërkaq hetimi, sipas tij, nuk duhet përkufizuar vetëm me SHIK-un, por edhe me Sigurimin e Atdheut, i njohur si shërbim që ishte më i afërt me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Por, unë nuk jam vetëm për hetimin e SHIK-ut, por edhe për hetimin e Sigurimit të Atdheut dhe shërbimet tjera nëse kanë
ekzistuar...

“Ajo se çfarë bën komisioni është parashtrimi i disa pyetjeve, kush e ka formuar SHIK-un, çfarë identiteti ka pasur, kush e ka financuar, kujt i ka raportuar dhe çfarë ka punuar edhe ku janë dosjet. Përgjigjet në këto pyetje të mëdha do të sjellin nënpyetje tjera që mund të sjellin para drejtësisë njerëzit, në qoftë se dikush ka bërë gjëra të këqija, e unë mendoj se kanë bërë gjëra të këqija".

"Hapen, pra, mundësitë që edhe prokuroritë të merren me rrjedhën e ngjarjeve. Por, unë nuk jam vetëm për hetimin e SHIK-ut, por edhe për hetimin e Sigurimit të Atdheut dhe shërbimet tjera nëse kanë ekzistuar, që unë mendoj se kanë ekzistuar”
, ka theksuar Krasniqi.

Ndërsa po iniciohet debat dhe hetim parlamentar për ish-strukturat e shërbimeve sekrete, kryesisht të partive më të mëdha në Kosovë, në Kuvendin e Kosovës është ndërmarrë edhe një nismë prej 20 nënshkrimeve të deputetëve, e iniciuar nga deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, me të cilën kërkohet që Parlamenti të distancohet nga të gjitha rastet e krimeve të pasluftës.