Kosova me mjedis të ndotur

22 Prilli - Dita Ndërkombëtare e Tokës kremtohet në mbarë botën me anë të aktiviteteve të ndryshme.

Në Ditën Ndërkombëtare të Tokës, autoritetet kosovare vlerësojnë se Kosova është në gjendje shumë të keqe sa i përket ambientit dhe se mund të renditet ndër vendet me gjendjen më të rëndë në Evropë e më gjerë.

Për të sensibilizuar opinionin për ruajtjen e ambientit, presidentja e Kosoëvs, Atifete Jahjaga, ka zgjedhur Obilqin, që konsiderohet si qyteti me ndotjen më të madhe në Kosovë, për të përçuar mesazhin për ruajtjen e ambientit.
Qytetari duhet të jetë në qendër të mbrojtjes së ambientit dhe duhet të jetë pikë referimi për çfarëdo përpjekjeje në këtë fushë.

“Dua ta shfrytëzoj këtë ngjarje për të rikujtuar se qytetari duhet të jetë në qendër të mbrojtjes së ambientit dhe duhet të jetë pikë referimi për çfarëdo përpjekjeje në këtë fushë. Institutcionet mund të jenë bartëse, por qytetari duhet të jetë udhëheqës”.

“Sot dëshiroj ta ritheksoj rëndësinë që ka kujdesi individual dhe institucional në Kosovë, jo vëtëm për hapësirën e gjelbër, por edhe për lumenjtë dhe liqenet në Kosovë
”, tha presidentja Jahjaga.

Ministri i Ambientit, Dardan Gashi, tha se janë ndërmarrë disa hapa për përmirësimin e ambientit.

Jo se nuk janë ndërmarrë hapa konkretë, por (ambienti) nuk është në nivelin që do të duhej të ishte, për të qenë të kënaqur edhe si qeveri, edhe si qytetarë të Kosovës”.

Obiliq
“Shkatërrimi i resurseve natyrore duhet të harmonizohet dhe zhvillimi ekonomik duhet të jetë në të mirë të ambientit. Kemi paralajmëruar ndryshimin e disa ligjeve dhe formulimin e disa ligjeve të reja, në mënyrë që të shkojmë në të mirë të ambientit”,
tha Gashi.

Si probleme, ai numëroi edhe industrinë e rëndë, atë të energjisë, metalurgjisë dhe të cementit.

“...edhe qytetarët kontribuojnë në masë të madhe, me hedhjen e mbeturinave vend e pa vend në gjithë territorin e Kosovës”
, shtoi Gashi.

Majlinda Krasniqi, qytetare, tha se njerëzit që kontribuojnë në ndotjen e ambientit nuk e dinë vlerën e Tokës.

“Edhe ato pak vende që i kemi për gjelbrim, mbushen me ndërtime pa leje. Nuk ka vende për relaksim. Mendoj se qytetarët nuk janë aq të vetëdijshëm për të mbrojtur Tokën dhe vlerat e saj”, u shpreh ajo.

Ndërkaq, Isa Mustafa, kryetar i Prishtinës, përmendi tri gjëra që, sipas tij, janë ndotësit kryesorë të ambientit.

“Mund të konkludoj se kemi problemin e ujërave të zeza, të ndotjes së ajrit dhe të hedhjes së parregullt të mbeturinave”, tha Mustafa.

Ai pranoi se Komuna e Prishtinës nuk ka ndërmarrë ndonjë hap konkret për përmirësimin e gjendjes së krijuar, pasi, sipas tij, kërkohet miratimi i ligjit që do të rregullonte kompetencat e institucionit që ai udhëheq.

“Ne nuk kemi arritur të marrim masa për pastrimin e ujërave të zeza... Hedhja e mbeturinave është problem, sepse nuk janë marrë masa për riciklimin e tyre. Kemi pasur disa projekte, që i kemi zhvilluar me organizatat e jashtme - projekte edukative me qytetarë - por nuk kemi ndonjë projekt të madh që do ta zgjidhte ndonjërin prej këtyre problemeve”, deklaroi Mustafa.

Ndotja e ambientit në Kosovë i tejkalon normat e lejuara evropiane, ndërkohë që rezultatet, të cilat i posedon Agjencia e Kosovës për Mbrojtjen e Mjedisit, tregojnë se vetëm në Prishtinë këto vlera tejkalohen për 3 deri në 6 herë më shumë, sesa ato të lejuarat.