Autoritetet kosovare thonë se Serbia nuk do të ketë rrugë tjetër përveç ndryshimit të qasjes ndaj Kosovës në drejtim të bashkëpunimit rajonal, po qe se ajo dëshiron të integrohet në Bashkimin Evropian. Por, zyrtarët serbë theksojnë se sjellja e delegacioneve kosovare në forumet rajonale ka pamundësuar ndryshimin e qëndrimit serb për këtë çështje.
Edhe më shumë se një muaj që nga vënia e dialogut ndërmjet Prishtinës e Beogradit zyrtar, bashkëpunimi rajonal si një nga parakushtet për integrim në Bashkimin Evropian, vazhdon të pamundësohet nga qëndrimi ende i ngurrtë i shtetit serb karshi Kosovës, vlerësojnë përfaqësues të institucioneve kosovare.
Pavarësisht mungesës së rezultateve konkrete për temat e dialogut, të cilat thuhet se ndërlidhen me bashkëpunimin rajonal, ata shprehin bindjen se autoritetet serbe do të jenë të detyruara ta ndryshojnë qasjen ndaj çështjeve si: pjesëmarrja e Kosovës në nismat rajonale, lëvizja e lirë e qytetarëve dhe e mallrave dhe të tjera.
Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë për Integrime Evropiane, Edon Cana, i tha Radios Evropa e Lirë se Serbia nuk mund të avancojë në integrimin evropian po qe se nuk përmirëson raportet me Kosovën.
“Unë jam shumë i bindur që në fund të vitit, ne do të kemi një përparim të dukshëm lidhur me fushat, të cilat Serbia duhet t’i përmirësojë sa i përket lëvizjes së lirë të qytetarëve e të mallrave, kthimit të dokumenteve që janë pronë e Kosovës”.
“Pra, ky është një parakusht i përcaktuar nga ana e Bashkimit Evropian... Nuk ka progres për Serbinë në rrugën e integrimeve pa përmbushjen e këtyre kritereve”, tha Cana.
Mirëpo, në Beograd i quajnë të paqëndrueshme deklaratat e zyrtarëve kosovarë për këtë çështje. Sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivqnoviq, theksoi se Qeveria serbe po përpiqet ta ndihmojë Kosovën për pjesëmarrje në nismat rajonale, porse këto përpjekje vihen në pikëpyetje kur autoritetet kosovare shfrytëzojnë nisma të tilla për, siç u shpreh ai, promovimin e pavarësisë së Kosovës.
Shteti serb, sipas Ivanoviqit, nuk do të ndërmarrë asnjë veprim, i cili do të nënkuptonte njohjen e Kosovës shtet.
“...për këtë arsye, Serbia është shumë e kujdesshme në çdo hap. Nëse dikush në Prishtinë vërtet synon të jetë pjesë e bashkëpunimit rajonal, do të duhej të bëhen disa hapa të vegjël - një nga këta është të mos promovohet pavarësia e Kosovës në forumet rajonale, por e kundërta - të ketë konstruktivitet dhe të bëhen përpjekje për të përfituar diçka nga ato”, u shpreh Ivanoviq.
Që nga nisja e bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në fillim të muajit mars, palët kanë trajtuar problemet që ndërlidhen me lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të automjeteve, me regjistrin civil, kthimin e dokumenteve kadastrale, CEFTA-n e vulat doganore, energjinë dhe postë- telekomunikacionin, por ende nuk ka pasur pajtim për zbatimin në terren të rezultateve eventuale.
Kryetari i Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Lutfi Haziri, konsideroi se, në këtë situatë, po vështirësohet bashkëpunimi rajonal. Ai tha se në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd është zbutur qëndrimi i Brukselit ndaj Serbisë, ndërsa nuk është forcuar ai në raport me Prishtinën.
Brukseli është duke e favorizuar agjendën serbe të integrimeve dhe Kosovës nuk i ka ofruar asgjë.
“Po shihet agjenda e nëntorit, e cila ka të bëjë me procesin integrues të aspiratave serbe kryesisht. Ne, në dy vizitat e fundit në Bruksel, edhe me kryetarin e Kuvendit, edhe me ministren për Integrime, e kemi përmendur si problem kryesor çështjen e integrimit dhe pjesëmarrjen e Kosovës atje”.
“Por, fatkeqësisht, po shihet që Brukseli është duke e favorizuar agjendën serbe të integrimeve dhe Kosovës nuk i ka ofruar asgjë deri më tash”, theksoi Haziri.
Lexoni edhe këtë:
BE: Dialogu heq pengesat për integrim