Prova e 5 qershorit

Seanca e Kuvendit të Maqedonisë më 14 shkurt, kur edhe u shpërnda, kurse zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 5 qershor.


Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 5 qershorit në Maqedoni vlerësohen me rëndësi të madhe për të ardhmen e saj, pasi mbarëvajtja e këtij procesi, zgjidh edhe krizën e rëndë politike, në të cilën ndodhet vendi për shkak të bojkotit të institucionit ligjvënës, së pari nga opozita shqiptare, e më pas edhe nga ajo maqedonase.

“Këto zgjedhje do të jenë edhe një test për demokracinë në Maqedoni, pasi në asnjë proces zgjedhor deri më tani nuk ka ndodhur që të ketë tensione aq të mëdha siç po ndodh tani, ende pa filluar fushata zgjedhore. Është për të ardhur keq që edhe pas 20 vjetësh demokraci, ne ende flasim për teste që duhet të kalojë vendi sa i përket zgjedhjeve, të cilat duhet të shihen si një proces normal ”, thotë analisti Zdravko Savevski.

Edhe analisti Albert Musliu e vlerëson me rëndësi të madhe për vendin mbarëvajtjen e zgjedhjeve për faktin se Maqedonia, përveç kontestit rreth emrit që ka me Greqinë, duhet t’i përmbushë edhe rekomandimet e OSBE-së, për zgjedhje të lira, që të mund të marrë datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Unë mendoj se me mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, tejkalohet ngërçi politik, në të cilin ishim muajve të kaluar për shkak të luftës mediale mes dy subjekteve më të mëdha. Mendoj se pas kësaj, do të zgjidhet edhe procesi i reformave që ka të bëjë me proceset euro-integruese. Partitë do t'i qasen me një seriozitet më të madh”, vlerëson Musliu, ndërsa sa i përket mbarëvajtjes së procesit zgjedhor ai thekson:

“Mbarëvajtja e zgjedhjeve është me rëndësi për shkak se ne jemi shtet kandidat për anëtarësim në BE dhe çdo gabim eventual do të ishte kthim prapa për Maqedoninë. Unë mendoj se partitë këtë e dinë, por kur vjen puna për fitoren e partive të tyre, ato, mendoj se shpeshherë i harrojnë obligimet që kanë ndaj shtetit”.

Ndërkohë, analisti Savevski thotë se të gjithë aktorët e këtyre zgjedhjeve, pra, partitë politike, duhet të angazhohen për mbarëvajtjen e këtij procesi, pasi nëse vazhdojnë tensionet e tilla, nuk përjashtohet mundësia e përshkallëzimit të situatës.

“Partitë politike, të gjitha së bashku, duhet të kenë kujdes në veprimin e tyre. Ato duhet të angazhohen për krijimin e një atmosfere demokratike, pasi për momentin duket sikur të gjithë janë të rreshtuar në prishjen e parimeve demokratike dhe të tolerancës në raport me kundërshtarin politik. Nëse kjo nuk evitohet, do të ketë pasoja të mëdha për vendin. Pra, përgjegjësia për mbarëvajtjen e këtij procesi u takon të gjithë pjesëmarrësve në zgjedhje ”, thekson Savevski.

Ndërkohë, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, sipas nënkryetarit Subhi Jakupi, është i gatshëm për organizimin e zgjedhjeve demokratike, por që ky proces të përfundojë me sukses të plotë, sipas Jakupit, nevojitet përkushtim edhe i aktorëve tjerë.

“Ne, si Komision Shtetëror i Zgjedhjeve, normalisht se jemi të përgatitur për zgjedhjet, që të ofrojmë më të mirën e mundshme për zbatimin e normave ligjore, apo të Kodit Zgjedhor, me qëllim plotësimin e standardeve për zgjedhje të lira dhe demokratike, por në këtë proces duhet të inkuadrohen të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje”,
deklaron Jakupi.