Tash, përqendrimi te reformat

Prishtinë - foto arkiv

Analistët politikë në Kosovë vlerësojnë se marrëveshja e arritur për zgjidhjen e ngërçit politik, ka qenë mënyra e vetme për të tejkaluar krizën rreth zgjedhjes së presidentit të ardhshëm. Ata theksojnë rëndësinë që, tash e tutje, të gjitha subjektet politike në Kosovë të përqendrohen në reformat zgjedhore që parashihen me marrëveshje.


Njohësit e rrethanave politike në Prishtinë thonë se marrëveshja e arritur të mërkurën mbrëma në mes të Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike dhe Aleancës Kosova e Re, ndonëse ka zhbllokuar ngërçin politik rreth zgjedhjes së presidentit, duhet t’i tejkalojë suazat politike duke e vënë fokusin në reformat zgjedhore që parashihen me të.

Marrëveshja e nënshkruar ndërmjet tri subjekteve politike parasheh reformimin e nenit të Kushtetutës së Kosovës që flet për zgjedhjen e presidentit dhe reformimin e ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në vend.

Analisti Leon Malazogu theksoi rëndësinë që në zbatimin e marrëveshjes të përfshihen edhe partitë e tjera, në mënyrë që reforma zgjedhore të bëhet në mënyrë konsensuale.

“Është shumë e rëndësishme që në këtë marrëveshje të mos mbeten vetëm subjektet, të cilat ishin pjesë e marrëveshjes dje, por të zgjerohet konsensusi edhe te partitë e tjera dhe Kosova të pajtohet rreth rregullave të veta sa u përket zgjedhjeve të ardhshme”, theksoi ai.

Që nga aktvendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, përmes së cilit u shpallën jokushtetuese procedurat për zgjedhjen president të kreut të AKR-së, Behxhet Pacolli, partitë parlamentare nuk patën arritur të gjejnë gjuhë të përbashkët lidhur me zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.

Qeveria e Kosovës
Analisti Behlul Beqaj tha se përzgjedhja e Atifete Jahjagës në postin e presidentes ka qenë opsioni i vetëm me të cilin janë pajtuar tri partitë nënshkruese të marrëveshjes.

“Është një zgjidhje optimale në situatën kur nuk ka pasur zgjidhje të tjera racionale dhe kur nuk kanë pasur gatishmëri që të përballen me pasojat e një procesi të manipuluar zgjedhor veçmas faktorët kyçë, të cilët ishin aktorët kryesorë në krijimin e kësaj turbulence politike në Kosovë”, tha Beqaj.

Marrëveshja e së mërkurës parasheh themelimin e një komisioni, i cili, brenda 6 deri 9 muajsh, do ta ndryshonte nenin 86 të Kushtetutës së Kosovës, që përcakton mënyrat e zgjedhjes së presidentit.

Zgjedhjet e para për presidentin, sipas marrëveshjes, do të mbaheshin jo më vonë se gjashtë muaj pas fuqizimit të ndryshimeve kushtetuese.

Malazogu vlerësoi se përfundimi i reformës zgjedhore brenda periudhës së përmendur në marrëveshje do të varet nga vullneti politik i palëve, por do ta largonte procesin e zgjedhjes së presidentit nga ndikimi i drejtpërdrejtë politik i tyre.

Zgjedhjet e drejtpërdrejta të presidentit shtojnë edhe një palë zgjedhje në skenën kosovare. Kështu që, në një aspekt, e komplikojnë mbajtjen e zgjedhjeve. Mirëpo, në të njëjtën kohë, e nxjerrin postin e presidentit nga negociatat për performim të koalicionit - edhe pse edhe aty kuptohet se një kandidat do të mundohet të marrë përkrahjen edhe të partive të tjera. Kështu që, do të ketë pozicionim edhe rreth presidentit, por do të hiqet nga pazari i numrit të ministrive në momentin kur të bëhet qeveria”, tha Malazogu.

Përveç ndryshimeve lidhur me procedurat e zgjedhjes së presidentit, marrëveshja PDK-LDK-AKR parasheh gjithashtu ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme brenda nj afati prej 8 deri në 12 muajsh, ndërsa mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare jo më vonë se 18 muaj pasi që ligji i ndryshuar të ketë hyrë në fuqi.