Roli i transmetuesve amerikanë

Uashington

Tashmë disa dekada, Qeveria amerikane i përdor dollarët e taksapaguesve për të financuar një varg mediash që transmetojnë lajme dhe informata anembanë globit.

Të mërkurën, në Kongres u shqyrtua qëllimi i shpenzimit të këtyre mjeteve, ndërsa ligjvënësit shtruan pyetjen nëse transmetuesit e financuar nga Shtetet e Bashkuara po bëjnë sa duhet për të promovuar interesat e Uashingtonit dhe për t’i luftuar regjimet shtypëse.

A i plotësojnë pritjet transmetuesit ndërkombëtarë që financohen nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara? Ose, siç e tha përfaqësuesi republikan nga Kalifornia, Dana Rorabaher: “A thua transmetimet amerikane në botë e minojnë interesin kombëtar dhe luftën kundër regjimeve tirane”?

Ky ishte titulli i seancës dëgjimore që ai e thirri në cilësinë e kryesuesit të Nënkomitetit për Politikë të Jashtme, për Mbikëqyrje dhe Investigime.

Rorabaher u tha të pranishmëve se ai ishte i shqetësuar se transmetuesit që financohen nga Shtetet e Bashkuara dhe që mbikëqyren nga Bordi Transmetues i Guvernatorëve, mund të jenë përqëndruar së tepërmi në raportimin objektiv të lajmeve dhe jo aq sa duhet në promovimin e vlerave dhe interesave të Amerikës.
Komunikimet strategjike amerikane dhe diplomacia publike duhet të synojnë të promovojnë interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara përmes informimit dhe ndikimit të publikut të huaj.

“Para së gjithash, komunikimet strategjike amerikane dhe diplomacia publike duhet të synojnë të promovojnë interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara përmes informimit dhe ndikimit të publikut të huaj. Kjo shpesh cilësohet si ‘luftë e ideve’. Roli dhe përgjegjësia e Bordit nuk është vetëm gazetaria”, tha Rorabaher.

Bordi Transmetues i Guvernatorëve, apo BBG, është një agjenci e pavarur, e cila i mbikëqyr të gjitha transmetimet amerikane jashtë vendit, përfshirë Zërin e Amerikës, Radion Evropa e Lirë/Radio Liria, Radion Azia e Lirë, Radiotelevizionin Marti, si dhe rrjetet në Lindjen e Mesme, Radion Saua dhe Televizionin Alhurra.

Të gjitha së bashku transmetojnë programe në 59 gjuhë dhe brenda javës ndiqen 165 milionë njerëz përmes radios, televizionit, internetit dhe mediave tjera.

Në buxhetin e propozuar për vitin 2012, BBG ka kërkuar rreth 767 milionë dollarë për financimin e programeve në botë.

Nënkomiteti i republikanit Rorabaher është pjesë e Komitetit për Politikë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, të cilin prej janarit e udhëheq republikania nga Florida, Ileana Ros-Lehtinen. Me një rast ajo pati deklaruar se misioni i Radiotelevizionit Marti nuk duhet të jetë diversiteti i mendimeve, por mbështetja e politikës së Uashingtonit ndaj Kubës.

Kritikët e saj thonë se fokusimi në integritetin e gazetarisë dhe raportimin objektiv është mënyra më e mirë për t’i çuar përpara interesat amerikane në planin afatgjatë.

Ata thonë se në këtë mënyrë u jepet shembull njerëzve nën qeveritë autoritare se demokracia ofron hapësirë për zëra të ndryshëm dhe shkëmbim të madh të ideve.

Të tjerët pohojnë se nëse transmetimet amerikane në botë kanë për synim vetëm promovimin e politikës aktuale të Shtëpisë së Bardhë, atëherë do ta humbin besueshmërinë dhe kjo do të mirëpritej nga udhëheqësit autoritarë.

Enders Uimbush, guvernator i bordit, i cili dëshmoi në seancë, tha se mediat e financuara nga Shtetet e Bashkuara po i sfidojnë në mënyrë efektive regjimet autoritare. Përse, pyeti ai, qeveritë e vendeve si Kina dhe Irani do të përpiqeshin aq shumë për t’i bllokuar ato?

“Qeveria e Iranit, siç e dimë, bën çmos për t’i penguar valët e programeve në gjuhën persiane të Zërit të Amerikës dhe Radios Evropa e Lirë. Transmetimet tona pengohen në satelit dhe në eter. Gjërat nuk kanë qenë gjithmonë si duhet, por këto janë masa mjaft të mira efektiviteti”, tha Uimbush.

Në seancë dëshmoi edhe Robert Reilli, ish-drejtor i Zërit të Amerikës. Ai tha se synimi i transmetuesve amerikanë ishte që t’iu ofrojë dëgjuesve shpresë, diçka që nuk mund të arrihet vetëm me raportimin e lajmeve.
Shpresa është një virtyt teologjik, ajo nuk lind nga lajmi.

“Lajmet e besueshme gjithmonë kanë qenë pjesë e transmetuesve amerikanë, por misioni kurrë nuk u reduktua vetëm në ato. Kur Dalai Lama e quajti shërbimin për Tibetin ‘bukë për tibetianët’ dhe kur aktivistja nga Birmania, Aung San Su Kji, e quajti shërbimin birmanez ‘shpresë për popullin e saj’, a mendoni se e kishin fjalën për lajmet? Shpresa është një virtyt teologjik, ajo nuk lind nga lajmi”, tha Reilli. (v.p.)